Ndeshja mes Interit dhe Atalantës në Serinë A është mbyllur mes polemikave me barazimin 1:1 pasi zikaltërit pretendojnë se janë dëmtuar nga gjyqtari kryesor me vendimet e dhëna kundër tyre.
Por ndër të tjera, gjatë audiove të publikuar të VAR-it për momentet e diskutueshme, shfaqet edhe një bashkëbisedim i kryesorit Manganielo me Dumfris, në rastin kur ky i fundit kërkonte anulimin e golit të Atalantës pasi pretendonte për faull ndaj tij gjatë aksionit.
Në audiot e publikuara dëgjohet lojtari duke protestuar, ndërsa kryesori i kthehet: “Ke rrëshqitur, nuk e kë vënë re Denzel”.
Mbrojtësi nuk e pranon këtë version. “Më kapi këmbën, si paskam rrëshqitur?”.
Dhe pastaj vjen edhe fraza e çuditshme e Manganielos. “Nuk e ke vënë re. Keni ende 10 minuta kohë që të mund të fitoni, shko”, thotë gjyqtari duke i dhënë fund protestave të futbollistit të Interit.
Një dialog i pazakontë mes një gjyqtari dhe një futbollisti, që është cilësuar skandaloz nga tifozët në rrjetet sociale të cilët mendojnë se kryesori kishte një sjellje të papërshtatshme me futbollistin në fjalë.







