Revista më e madhe gjermane dhe evropiane, Spiegel, rikthehet sërish tek tema e ‘safarit në Sarajevë’ dhe sjell dëshmi tronditëse për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Sipas kësaj reviste, Vuçiç mund të jetë i përfshirë në gjuetinë për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje.
Revista nënvizon se tre çetnikët që mund të sillnin detaje të plota për këtë krim të tmerrshëm, kanë vdekur në rrethana të dyshimta.
Por ndërsa këta dëshmitarë janë zhdukur, ka të tjerë që implikojnë Vuçiçin, i njohur gjerësisht si mik personal i Edi Ramës, në këtë ngjarje tronditëse.
Spiegel ngre dyshime se si mundet që presidenti i një vendi që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, të jetë i përfshirë në këtë krim kaq të rëndë.
Më poshtë pjesë nga shkrimi i revistës gjermane.
***
Fantazmat e luftës së Bosnjës po kërcënojnë tashmë edhe Aleksandar Vuçiç, presidentin e Serbisë.
Duke u mbështetur në një kallëzim penal të paraqitur në nëntor në prokurorinë e Milanos, gazetari kroat Domagoj Margetiç pretendon se Vuçiç, në rininë e tij, kishte shërbyer si vullnetar lufte në një njësi çetnike nën komandën e Slavko Aleksiç dhe se në varrezat hebraike kishte rënë në kontakt me “gjahtarë njerëzish” të huaj.
Akuza të ngjashme ishin ngritur edhe në vitin 2013 nga politikani serb i ekstremit të djathtë Vojislav Sheshel para tribunalit të OKB-së në Hagë, duke pretenduar se Vuçiç kishte qenë vullnetar në atë zonë përpara se të hynte në parti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tani kërkon ngritjen e një gjykate ndërkombëtare, duke thënë se po dalin gjithnjë e më shumë informacione për një të ashtuquajtur “Safari në Sarajevë”, ku pretendohet se ka marrë pjesë edhe Vuçiçi.
Vuçiç i ka mohuar këto akuza përmes zëdhënëses së tij, duke i quajtur ato “një rast tipik dezinformimi dashakeq”. Sipas tij, në vitet ’90 ai ka qenë gazetar dhe përkthyes “pa asnjë lidhje me strukturat ushtarake” dhe “nuk ka marrë pjesë në luftime”.
Megjithatë, në një kafene në Zagreb, Margetiç paraqet dokumente që, sipas tij, mbështesin akuzat — përfshirë një protokoll të gushtit 1992, ku thuhet se një komandant çetnik urdhëronte që vullnetarit Vuçiç t’i jepej një pushkë gjysmë-automatike e tipit Zastava M59/66.
Dokumente të tjera nga viti 1993 pretendojnë se Vuçiç ishte ndër vullnetarët e autorizuar për të shoqëruar “mysafirë të huaj” dhe se ai kishte dorëzuar 20 mijë marka gjermane, të cilat supozohet se ishin “dhuruar” nga një italian në varrezat hebraike të Sarajevës.
Këto janë akuza shumë të rënda që tashmë po shqyrtohen në Milano: a ishte Vuçiç, sot president i Serbisë që aspiron anëtarësimin në BE, i përfshirë në krimet vdekjeprurëse në Sarajevë?
Autenticiteti i dokumenteve vihet në dyshim nga pala serbe. Tre dëshmitarë kyç, ish-komandantë çetnikë, nuk mund të pyeten më, pasi kanë vdekur brenda një periudhe shumë të shkurtër mes shtatorit dhe dhjetorit 2025, në rrethana pjesërisht të paqarta.
Ndërkohë, një dëshmitar tjetër, Aleksandar Licanin, që jeton në Prijedor, thotë se ka luftuar në zonë dhe se ka parë “turistë safari” që qëllonin mbi civilë: “Qëllonin mbi gra, fëmijë dhe të moshuar, ishin jashtë kontrollit,” thotë ai.
Sipas tij, pas këtyre akteve, të huajt festonin dhe pinin deri në mëngjes. Ai i ka dhënë këto dëshmi më 4 mars në prokurorinë e Sarajevës dhe është i gatshëm të dëshmojë edhe në Milano.
Sipas Margetiç, “turistët e safarit” zakonisht mblidheshin pranë kishës Shën Marku në Beograd dhe dërgoheshin gjatë natës drejt Pale, bastion serb mbi Sarajevë. Logjistika thuhet se organizohej nga lideri i milicisë “Shqiponjat e Bardha”, Dragoslav Bokan.
Një ish-ushtar francez ka dëshmuar gjithashtu se, kundrejt pagesave të mëdha, kishte shoqëruar “gjuetarë njerëzish”, kryesisht nga Italia, por edhe nga Belgjika dhe Franca, drejt Sarajevës.
Organizimi diskret i udhëtimeve në Bosnjë gjatë kohës së luftës duhet të ketë qenë kompleks dhe i miratuar nga nivelet më të larta. “Figura kyçe” në këtë biznes të ashtuquajtur “safari njerëzor”, thotë autori italian, Ezio Gavazzeni, sipas burimeve të tij, ka qenë ish-shefi i shërbimit sekret serb Jovica Stanishiç, i njohur në këtë fushë si “i ftohti”.
Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit Slobodan Milosheviç aktualisht po vuan një dënim prej 15 vitesh burg në Gjermani për krime lufte. Ai nuk ishte i arritshëm për një koment.
Megjithatë, gjatë luftës në Bosnjë dhe edhe më pas, thuhet se Stanishiç ka qenë gjithashtu në shërbim të CIA, siç zbuloi gazeta Los Angeles Times në vitin 2009. Sipas këtij raporti, ai u kishte dhënë amerikanëve informacione nga brenda regjimit të Milosheviçit dhe kishte ndihmuar në lirimin e 388 ushtarëve të NATO-s të marrë peng.
Madje, në vitin 1996, pak para përfundimit të rrethimit të Sarajevës, Stanishiç ishte ftuar në selinë qendrore të CIA-s nga amerikanët si shenjë falënderimi dhe ishte nderuar me dhurata.
Nëse Stanishiç ka qenë vërtet truri pas këtyre “safarive” vdekjeprurëse në Sarajevë – si është e mundur që amerikanët të mos kenë pasur dijeni për këtë? Në këtë kontekst, mungesa e hetimeve të thelluara deri më sot nga prokuroria e Bosnjës, ku poste të rëndësishme mbahen nga boshnjakë serbë, duket më pak e habitshme.
A kanë heshtur për dekada ata që dinin, për shkak të interesave të tyre?
“Institucionet tona dështojnë edhe sot në zbardhjen e asaj që ka ndodhur,” ankohet deputeti boshnjak Zlatko Miletiç, të cilit i jepen shanset më të mira në zgjedhjet e ardhshme për Presidencën tripalëshe të shtetit. Sipas tij, nëse në Parlament do të diskutohej tema e “safarive të huaja”, ndoshta do të çonte menjëherë në “sherre fizike”.
Miletiç ka shërbyer gjatë luftës si shef i policisë në venajevën e Re dhe kishte komandën përgjatë një fronti katër kilometërsh. Ai thotë se rreth tridhjetë e disa bashkëluftëtarë të tij kanë rënë në betejë dhe nxjerr një listë të gjatë me emrat e snajperëve serbë. Në të janë regjistruar edhe tre komandantët çetnikë që në fund të vitit të kaluar vdiqën njëri pas tjetrit në “një mënyrë shumë interesante”, siç pëshpërit Miletiç: “Nëse këta tre do të ishin arrestuar dhe pyetur në kohë, sot do të dinim gjithçka.”
Megjithatë, e vërteta mbi “huajt vrasës” do të dalë në dritë — falë hetimeve në Milano dhe presionit ndërkombëtar, parashikon ish-luftëtari i frontit: “Jam njëqind për qind i sigurt që këto safari ekzistuan; ato u organizuan nga strukturat e sigurisë serbe.”







