Një grup pedagogësh të Universitetit të Arteve kanë dalë në një konferencë për shtyp për të denoncuar moszbatimin e vendimeve të Senatit Akademik për promovimin e tyre akademik, duke akuzuar institucionin për shkelje që cenojnë statusin e tyre dhe integritetin e universitetit.
Me mbështetjen e plotë të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, ata paralajmëruan se situata aktuale rrezikon vetë ekzistencën e institucionit.
Në qendër të konfliktit qëndron një vendim i Senatit Akademik i miratuar në fillim të vitit 2024, i cili u dha një pjese të stafit tituj si “Profesor në Arte” dhe “Profesor i Asociuar në Arte”.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të pedagogëve, që prej datës 12 qershor 2024, këto vendime nuk janë zbatuar, veçanërisht në aspektin financiar dhe administrativ.
Si pasojë, pedagogët e promovuar vazhdojnë të trajtohen sipas statusit të tyre të mëparshëm, duke injoruar titujt e rinj akademikë.
Kjo situatë ka krijuar një paradoks të thellë. Ndërkohë që pedagogëve u njihen titujt bazuar në praktikën e tyre artistike, në përputhje me statusin e veçantë që Universiteti i Arteve fitoi në vitin 2021 si institucion i profilizuar, nga ana tjetër ata po detyrohen të ndjekin studime të ciklit të tretë (doktoraturë) sipas një modeli klasik akademik.
Këto programe, sipas tyre, jo vetëm që nuk përputhen me profilin e tyre artistik, por vijnë edhe me një kosto të konsiderueshme financiare personale.
Në deklaratën e tyre zyrtare, pedagogët e konsideruan moszbatimin e vendimeve të Senatit një “precedent problematik” që vë në pikëpyetje sigurinë juridike dhe koherencën e vendimmarrjes brenda universitetit. Ata theksuan se i janë drejtuar zyrtarisht rektoratit për një sqarim, por nuk kanë marrë një përgjigje të qartë.
Përballë këtij ngërçi, ata deklaruan se do të shqyrtojnë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për të garantuar respektimin e vendimeve dhe funksionimin normal të institucionit.
Deklarata e plotë:
“Në vitin 2021, me VKM numër 145, Universiteti i Arteve fitoi një status të veçantë si institucion i arsimit të lartë me profil artistik, duke reflektuar natyrën specifike të disiplinave të tij.
Në vijim të këtij statusi, në vitin 2024, Senati akademik i Universitetit të Arteve miratoi procedurat dhe vendimet për promovimin akademik të stafit, duke i dhënë një pjese të pedagogëve të tij titujt si profesor në arte dhe profesor i asociuar në arte.
Megjithatë, që nga data 12.06.2024, këto vendime nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë, veçanërisht në aspektin financiar dhe atë administrativ, duke bërë që pedagogët e promovuar të vazhdojnë të trajtohen sipas statusit të mëparshëm.
Gjithashtu, paralelisht, institucioni ka ndërmarrë hapa për të detyruar pedagogët që të ndjekin studimet e ciklit të tretë, doktoratura domethënë, shpesh këto me kosto të konsiderueshme financiare, dhe në dhe me programe që nuk përputhen me profilin tonë artistik.
Kjo ka krijuar një situatë kontradiktore, ku nga njëra anë njihen tituj akademikë në bazë të praktikës artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet përmbushja e kritereve të një modeli klasik akademik.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për sqarim, deri më sot nuk kemi një qëndrim të qartë dhe të plotë institucional mbi statusin dhe zbatimin e këtyre vendimeve.
Kjo situatë prek një grup të konsiderueshëm pedagogësh dhe ka mbështetjen edhe të pjesës tjetër të stafit akademik që i gëzojnë këto tituj më përpara.
Përfaqësia e asamblesë së stafit akademik të Universitetit të Arteve shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Senatit akademik të datës 12.06.2024, të cilat pavarësisht miratimit të tyre, nuk kanë gjetur ende zbatim të plotë institucional.
Moszbatimi i vendimeve të një organi kolegjial si Senati akademik, krijon një precedent problematik për funksionimin e brendshëm të universitetit, duke vënë në pikëpyetje sigurinë juridike të akteve akademike dhe koherencën e vendimmarrjes institucionale.
Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndjekjen e detyrueshme të studimeve të ciklit të tretë, e shoqëruar me kosto të konsiderueshme financiare, ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë e këtyre praktikave me natyrën specifike të disiplinave artistike dhe me statusin e veçantë të Universitetit të Arteve si një institucion i profilizuar.
Kjo situatë nuk përbën thjesht një problem individual, por prek drejtpërdrejt standartet akademike, integritetin institucional dhe funksionimin normal të një institucioni publik të arsimit të lartë.
Përfaqësia e asamblesë ka ndjekur rrugën institucionale për adresimin e kësaj çështjeje dhe i ka kërkuar zyrtarisht rektoratit një sqarim të plotë mbi statusin dhe zbatimin e vendimeve të Senatit akademik.
Në mungesë të një përgjigje të qartë dhe një zgjidhje institucionale, përfaqësia e asamblesë do të shqyrtojë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale në dispozicion për të garantuar respektimin e vendimeve akademike dhe funksionimin e rregullt të universitetit.
Transparenca, respektimi i akteve akademike dhe siguria juridike janë parime themelore që nuk mund të relativizohen”.







