Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet lidhur me mënyrën sesi u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili mbeti i vrarë në atentatin tek rrethrrotullimi i Rinasit, bashkë me Gilmando Danin, një ish i dënuar për gjobëvënie dhe i konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Prokurori Bledar Valikaj ka marrë të pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ish-drejtorin e komanduar të AMP-së, Artjol Saliasi, ndërsa më herët kishte marrë në përgjegjësi penale Gëzim Salën, drejtorin e burimeve njerëzore pranë Agjencisë. Nga hetimet ka rezultuar se Muçi Shaljani alias Sheqeri ishte punësuar si agjent me kontratë në kundërshtim me ligjin. Në një kohë që rezulton se ishte paguar duke mos shkuar fare në punë, ndonëse për pak ditë.
Atentati mafioz ndodhi mesditën e 11 nëntorit 2025 pranë aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri sapo ishin kthyer nga Spanja dhe sapo u nisën drejt Tiranës u qëlluan me breshëri kallashnikovi. Dani mbeti i vrarë në vend, ndërsa Shaljani ndërroi jetë më vonë te spitali i Traumës. Hetimet për atentatin e Rinasit po kryhen nga SPAK.







