Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë keqtrajtuar fëmijën e tyre 5-vjeçar. I mituri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, me plagë të rënda në të dyja shputat e këmbëve. 5-vjeçari aktualisht po merr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa dyshohet edhe për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim, QKUK ka njoftuar Policinë dhe shërbimet sociale. Fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe po merr trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rënduar. Ndërkohë, Qendra për Punë Sociale në Lipjan ka marrë nën përkujdesje edhe fëmijët e tjerë të familjes, si masë mbrojtëse emergjente.
“Qendra për Punë Sociale ka vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe mandatin për mbrojtjen e fëmijëve, duke ndërhyrë pa vonesë në një situatë ku është vlerësuar rrezik i menjëhershëm për zhvillimin dhe integritetin e tyre. Janë ndërmarrë masa emergjente, përfshirë largimin e përkohshëm të fëmijëve nga familja, bazuar në një vlerësim profesional dhe multidisiplinor, gjithmonë në interesin më të mirë të fëmijëve”, thotë Makfirete Shamolli, Drejtoreshë e QPS Lipjan.
Ndërkohë, institucionet kanë kërkuar një raport kronologjik për trajtimin e këtij rasti, për të verifikuar nëse ka pasur neglizhencë institucionale.
“Janë ndërmarrë hapa si mbikëqyrja profesionale dhe kërkesa për një raport të detajuar mbi trajtimin dhe menaxhimin e rastit nga Qendra për Punë Sociale. Është autorizuar edhe njësia inspektuese, ndërsa përgjegjësia për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare i takon komunave”, thotë Blerim Shabani, Drejtori i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Komuna e Lipjanit, e cila ka bërë të ditur se pret një raport të detajuar.
“Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe jemi në pritje të një analize të detajuar. Nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje nga ana e zyrtarëve, do të ndërmerren masa, përfshirë suspendimin dhe largimin”, thotë Besarta Qafraku, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit.
Ndërkohë, gjashtë fëmijët e tjerë të kësaj familjeje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan. Klinika e Pediatrisë ka bërë të ditur se 5-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në nivel të shputave nga ekipet e Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike. Sipas mjekëve, operacioni ka përfunduar dhe gjendja e tij gjatë ndërhyrjes ka qenë qendrueshme.







