Ballina Ekonomia ERE përcakton çmimin e energjisë për vitin 2026 për bizneset në linjat...

ERE përcakton çmimin e energjisë për vitin 2026 për bizneset në linjat 20, 10 dhe 6 kV

75
0

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar çmimin e ri të shitjes së energjisë elektrike për vitin 2026 për klientët që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe janë të lidhur në nivelin e tensionit 20/10/6 kV, duke vendosur një tarifë përfundimtare prej 18.26 lekë për kWh.

Sipas vendimit, komponenti kryesor i çmimit mbetet kostoja e blerjes së energjisë elektrike, e përcaktuar në nivelin 12.00 lekë/kWh nga KESH sh.a., mbi të cilën shtohen elementë të tjerë tariforë dhe rregullatorë. Konkretisht, kthimi për riskun në nivelin 3% përkthehet në 0.36 lekë/kWh, ndërsa kostot administrative të furnizuesit arrijnë në 1.06 lekë/kWh. Tarifa e transmetimit është përcaktuar në 0.85 lekë/kWh, ndërsa tarifa e shpërndarjes për këtë nivel tensioni arrin në 3.99 lekë/kWh.

Në total, përmes formulës së përcaktuar nga metodologjia rregullatore, çmimi final i energjisë elektrike për klientët e lidhur në tensionin 20/10/6 kV që furnizohen nga FMF arrin në 18.26 lekë/kWh, duke reflektuar një nivel të lartë kostosh për këtë kategori konsumatorësh.

Vendimi thekson se kjo kategori konsiderohet “klientë të rëndësisë së veçantë”, ndërsa çdo ndryshim në elementët përbërës të çmimit do të përbëjë shkak për rishikimin e tarifës nga Bordi i ERE-s.