Pas Fierit, kompania farmaceutike Rejsi Farma është paditur nga Drejtoria qendrore e Fondit të Sigurimit të detyrueshëm për shkak gjobave që ka nisur të vendosë ndaj degëve të saj në rrethe.
Këtë radhe Rejsi Farma është paditur për faturime në mënyrë abuzive ndaj zyrës së Fondit në Korçë, për furnizimin me barna të spitalit rajonal të Korçës. Edhe në këtë spital, Rejsi Farma kërkon të marrë para publike nëpërmjet përmbaruesve privat duke përdorur të njëjtën forme si në spitalin rajonal të Fierit kur rezultonte se faturat ishin paguar një herë në bazë të konsumit mujor të barnave sipas nevojave të pacientëve.
Por Rejsi Farma edhe spitalin e Korçës, pra degën e Fondit që mbulon shpenzimet e ka faturuar sërish për të përfituar sa më shumë para publike, sikur të mos mjaftojnë ato që përfiton me apo pa të drejtë nga tenderat në shëndetësi. Për spitalin e Korçës dhe degën e Fondit në këtë qytet situatën duket se e ka marrë në dorë zyra qendrore e Fondit të sigurimit të detyrueshëm në Tiranë pasi është ajo që e ka bërë padinë ndaj Rejsi Farmës, i cili kërkon të marrë afro 80 milionë lekë për fatura të vitit 2023.
Por në një vendim të Gjykatës Administrative të shkallës së parë gjyqtari Armand Shkurtaj ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të faturave të lëshuara nga Rejsi Farma.
Ndaj kompanisë farmaceutike Rejsi Farma janë hapur padi jo vetëm për spitalin e Fierit dhe të Korçës, por për disa, pasi ka lëshuar fatura për të përfituar në mënyrë abuzive edhe ndaj spitaleve te tjera rajonale në vend./tch







