Ndërsa mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme për shkak të luftës dhe kufizimeve në hapësirën ajrore, një kategori pasagjerësh ka arritur të kthehet në Evropë shumë më shpejt: kuajt e garave.
Plot 147 kuaj të garave me vlerë të lartë, të mbetur në Doha pas anulimit të një etape të Longines Global Champions Tour (4–7 mars), janë transportuar në Belgjikë me dy avionë cargo të organizuar urgjentisht nga Qatar Airways.
Operacioni u zhvillua në kushte të vështira, pasi Katari po operon me shumë pak korridore ajrore për shkak të luftës. Megjithatë, rikthimi i kuajve kampionë të Evropës në shtëpi u konsiderua prioritet.
Kuajt, të cilët mund të kushtojnë nga 420 mijë euro deri në mbi 1 milion euro secili, përbënin një ngarkesë me vlerë mbi 100 milionë euro. Për arsye sigurie, avionët u nisën bosh nga Doha drejt Riadit në Arabinë Saudite, ku kuajt u transportuan me rrugë tokësore nga Katari nën shoqërim të armatosur.
Nga Riadi ata u dërguan me avion në aeroportin e Liège në Belgjikë, një nga aeroportet më të specializuara në Evropë për transportin e kafshëve të garave.
Evakuimi u organizua kështu sepse pronarët dhe kompanitë e sigurimit nuk donin që avionët të niseshin drejtpërdrejt nga Doha, pasi hapësira ajrore e Katarit konsiderohet me rrezik të lartë për shkak të sulmeve me dronë në rajon.







