Ballina Aktualitet Thellohet skandali me Porto Romanon, dyshime se firma “fituese” greke nuk pagoi...

Thellohet skandali me Porto Romanon, dyshime se firma “fituese” greke nuk pagoi garancinë 8 milionë euro!

94
0

Një tjetër skandal po del në dritë me tenderin e ndërtimit të portit të ri të Durrësit, në zonën e Porto Romanos, disa ditë pasi firma “fituese” greke u tërhoq zyrtarisht nga oferta, në momentin që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të lidhte kontratën. Ka dyshime se presioni i faktorit ndërkombëtar, më saktësisht ai amerikan, ka sjellë anulimin e procedurës në fazën finale.

Megjithëse linja politike në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ndryshoi, pavarësisht se vendin e Belinda Ballukut e zuri Enea Karakaçi, sërish faktorët e tjerë kanë qenë më bindës, pas informacioneve se paratë që do të investoheshin në atë vepër të sigurisë kombëtare kanë pasur origjinë të dyshimtë, ndoshta edhe ruse.

Vox News ka mësuar nga burime pranë Autoritetit Portual të Durrësit, një institucion i përfshirë direkt në këtë aferë, se firma “fituese” në fazat e hershme, “Archirodon Construction”, nuk ka paguar garancinë prej 8 milionë euro. Dyshimet janë se këto para’ nuk ndodhen në asnjë bankë të nivelit të dytë të bllokuara. Nëse këto dyshime faktohen, atëherë ndaj zyrtarëve të ministrisë mund të ngrihen akuza zyrtare, këto në kuadrin e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për këtë aferë.

Në datën 9 mars duhej të shpallej fituesi i tenderit për ndërtimin e portit të ri të Durrësit, në Porto Romano, por në një deklaratë për mediat, ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se nuk kishte marrë asnjë ofertë. Kompania greke që në fazat e mëparshme ishte shpallur fituese, u tërhoq nga gara, teksa tenderi hyri në një kalvar të ri, megjithëse procedura ishte hapur prej 2 vitesh.

Karakaçi deklaroi se tërheqja e ofertuesit të vetëm erdhi për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit, ndërkohë që tenderi i hapur në kohën e Ballukut, me objekt ndërtimi i “Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I”, kishte një vlerë prej 400 milionë eurosh. Mësohet se në tender konkurruan disa kompani të mëdha ndërkombëtare, ndërkohë që më vonë filloi operacioni “gërshëra”, pasi vartësit apo vetë ish-ministrja Balluku i skualifikoi, duke lënë të vetme në këtë garë kompaninë greke “Archirodon Construction” dhe bashkëpunëtorët e saj.

Vox News ka shfletuar dokumente të këtij tenderi, ku rezulton se në shumë pika, dhe menjëherë pas përfundimit të fazës së parakualifikimit, fillon dhe duhet të paguhet garancia. Pikërisht në fazën që ka qenë edhe firma greke. “Në rastin e kontratave sektoriale, enti kontraktor, në bazë të diskrecionit të tij, mund të kërkojë sigurimin e ofertës edhe për procedurat nën kufirin e lartë monetar. Operatori ekonomik paraqet formularin e sigurimit të ofertës, sipas shtojcës 5. Shuma e kërkuar e sigurimit të ofertës është 786.400.000 ose 7.993.494 euro”, thuhet në dokumente.

Thellohet skandali me Porto Romanon, dyshime se firma “fituese”

Në dokumentet standarde të tenderit (DST) specifikohet se garancia duhet të paguhet në 4 llogari bankar të Autoritetit Portual të Durrësit, ku janë edhe të dhënat e këtyre numrave të llogarisë.

Dokumentet janë të hapura dhe mjafton një verifikim i SPAK-ut për të evidentuar nëse kjo garanci është paguar ose jo. Deri më tani zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë dhënë asnjë informacion për këtë shumë, teksa mos pagesa e saj rëndon zyrtarët e ministrisë, pasi SPAK-u ka sekuestruar tashmë dosjen e tenderit. Në këtë dosje ndodhen të gjitha informacionet apo veprimet e mosveprimet e tyre.

Duket se, fatura e shtetit shqiptar rëndohet dita–ditës nga kjo aferë. Vox News ka mësuar se janë bërë disa pagesa, fillimisht për projektimin, me vlerë rreth 17 milionë euro. Më pas u bë tender për konsulencë, me vlerë rreth 12 milionë euro. Një shumë prej 8 milionë është paguar për shpronësimet. Fatura të kripura për një nga shtetet më të varfra të Europës, por me burime e resurse të mëdha, që po zhvaten nga këta zyrtarë./ Voxnews