Ballina Aktualitet Vjedhja e fondeve të BE/ Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca paraqitet në...

Vjedhja e fondeve të BE/ Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca paraqitet në SPAK, jep dëshmi për disa orë

75
0

Ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka dhënë dëshmi për disa orë të martën e 18 Marsit në SPAK, për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD. Paraqitja e saj ka ndodhur në orët e pasdites duke i “shpëtuar” vëmendjes së medias. Krifca është pyetur si person në dijeni teksa SPAK, ka intensifikuar hetimet për këtë dosje.

Më herët Reni Ashiku, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres Krifca, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje. Burime prano organit hetues bëjnë me dije se kjo është një dosje që po hetohet me prioritet dhe paralelisht me marrjen e dëshmive po mblidhen edhe prova të tjera rreth skamës së dyshuar abuzive.

Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri. Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.

Vendimi erdhi pas dyshimeve për abuzime në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), për të cilat është vënë në qendër të hetimeve edhe ish-ministrja Frida Krifca. Autoritetet evropiane reaguan mbi këtë skemë pasi prek drejtpërdrejt besueshmërinë institucionale dhe mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë, teksa kanë nxitur dhe inkurajuar SPAK t’iu shkojë deri në fund hetimeve. Sipas njoftimit zyrtar të OLAF, bashkëpunimi me SPAK po intensifikohet, me ekspertë të huaj që tashmë po asistojnë hetuesit shqiptarë.