Ballina Opinion Agron Llakaj për ministër Financash dhe Erjon Braçe kryetar i Bordit të...

Agron Llakaj për ministër Financash dhe Erjon Braçe kryetar i Bordit të Naftës

136
0

Ka qenë një skeç nga vitet 90′ me Agron Llakajn dhe të ndjerin Koçon Devole. Ky i fundit ishte në rolin e gazetarit, ndërsa Llakaj përfaqësonte ekonomistin e qeverisë. Përpara se të fillonin, Koço i kërkon Llakajt që të jetë pak më i kuptueshëm me shifrat që thotë se nuk i merr vesh njeri. E nejse filloi intervista dhe filloi të fliste ekonomisti.

“Ja. Ka qenë buxheti 6.5 për qind në vitin 1992? Në 93-shin u rrit me 6.7 për qind. Kurse në 94-ën u rrit 0.8 për qind e 6.5 për qindëshit të 92-shit. Pra që do të thotë 7.8 për qind më shumë se 93-shi dhe totalisht kemi një rritje 0.9 për qind më shumë se 0.8 për qindëshi i 94-ës.”

Fytyra e Koços kur ky thoshte shifrat është një kryevepër, por nejse. Mu kujtua ky skeçi kur pashë lajmin se qeveria ka vendosur të ulë me 20 për qind akcizën e naftës. Akciza e naftës është fikse. Këta e ulin me përqindje. Njësoj si të kapësh veshin nga pas kokës. Ndonëse me vendimet e qeverisë ka më shumë gjasa që në vend të veshit të kapësh ndonjë gjë tjetër.

Tani llogaria serioze e uljes. Aktualisht akciza e naftës është 39.38 lekë për litër. Reduktimi me 20 për qind do të thotë se akciza do të ulet me 7.876 lekë për litër. Bashkë me efektin e tvsh-së, ulja fundore në çmimin e naftës është 9.4512 lekë për litër. Kaq është efekti final i uljes me 20 për qind të akcizës në çmimin e naftës. Siç do thoshte Agron Llakaj, ulja është 0.7 për qind më shumë se 0.8 për qindëshi i çmimit të naftës.

Truri është padyshim organi më i mrekullueshëm i njeriut. Ai fillon së punuari sapo zgjodhesh në mëngjes dhe nuk rresht së punuari për asnjë moment derisa ulesh në zyrat e qeverisë. Kur shkon aty fillon dhe merr vendime si ky që ul një taksë me 4 shifra pas presjes dhjetore. Por punët e qeverisë kështu janë. Gjithsesi Agron Llakaj i skeçit do të ishte një ministër financash shumë më serioz se këta që marrin nga këto vendime.

Ulja me 20 për qind e 39.38 lekëshit është zgjidhja e parë që qeveria dha për çmimin e naftës. Zgjidhja e hiçit domethënë. Sepse ulja me 9 lekë për litër do të thotë që Shqipëria nuk do t’i ketë taksat e naftës 79 lekë për litër më të larta se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por do t’i ketë 70 lekë për litër më të larta. Dhe 9 lekë për litër as kanë për t’u ndjerë sepse vetëm në një ditë çmimi rritet më shumë se kaq.

Por një zgjidhje hiçi nuk mjafton. Duhen dy. Dhe e dyta është kjo e Bordit. Megjithatë këtu ka një zgjidhje racionale.

Bordi i parë u paragjykua si i kapur nga tregtarët e naftës. Me qëllim që të shmanget paragjykimi, këtë herë do të ishte me vend që kryetar Bordi të emërohej Erjon Braçe, që është propozuesi i parë dhe zyrtari i vetëm i maxhorancës, i cili ka denoncuar publikisht se çmimi i naftës në Shqipëri fiksohet nga karteli i tregtarëve.

Kështu shqiptarët do të kuptonin njëherë e mirë se kush është problemi i vërtetë me çmimin e naftës. Abuzimi i tregtarëve apo taksat. Por meqë qeveria nuk i ka qejf asnjëherë zgjidhjet racionale, më shumë gjasa ka që kryetar bordi të bëhet ndonjë nga këta që propozuan uljen e taksës me 4 shifra pas presjes se sa Erjoni.

Domethënë nga hiçi me presje dhjetore në hiç pykash Bordi./Kapital