Ballina Kronika Dorëzimi me regji pasi ishte në kërkim për ‘shtëpi bari’ – Lirohet...

Dorëzimi me regji pasi ishte në kërkim për ‘shtëpi bari’ – Lirohet drejtori i burgut të Rrogozhinës

73
0

Pa u bërë 24 orë nga dorëzimi me regji, drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është liruar, duke shfajësuar veten për dy magazinat me 4 mijë rrënjë kanabis në një nga banesat në pronësi të tij.

Burime saktësuan se  hetimet ndaj zyrtarit të Burgut të Rrogozhinës do të vijojnë në gjendje të lirë për të, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij.

Hasai nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk kishte shkuar prej muajsh në ambientin në fjalë.

Në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, Ervis Maci për akuzën ‘shpërdorim detyre’.

Policia informon se gjatë operacionit janë sekuestruar 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Njoftimi i Policisë së Elbasanit:

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Kurtaj’, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.