Ballina Aktualitet Festimja nxjerr gjithe Bulqizën në ankand/ Si po merren tokat e Dibrës...

Festimja nxjerr gjithe Bulqizën në ankand/ Si po merren tokat e Dibrës për centrale diellore

61
0

Bashkia e Bulqizës shpalli fituesin e një ankandi për dhënien në përdorim të një sipërfaqeje prej 21 hektarësh nga fondi pyjor/kullosor në fshatin Lubalesh, Njësia Administrative Gjoricë, për ndërtimin e një parku me aerogjeneratorë dhe panele fotovoltaike.

Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, ankandi është zhvilluar më 23 shkurt 2026 me procedurë të hapur, ndërsa objekti i tij ishte dhënia në përdorim e tokës për ndërtimin e infrastrukturës së prodhimit të energjisë së rinovueshme, përfshirë stacionet, bazamentet dhe objektet mbështetëse. Lidhja e kontratës për këtë ankand është bërë në datë 9 mars.

Vlera fillestare e ankandit ishte 176 mijë lekë për hektar në vit, që për sipërfaqen prej 21 hektarësh arrinte në rreth 3.69 milionë lekë në vit. Oferta fituese u shpall në vlerën 3,698,100 lekë në vit.

Fitues i ankandit është shpallur subjekti “Balla Energy Group” sh.p.k, me seli në qytetin e Bulqizës dhe në pronësi të plotë të Artan Ballës. Në procedurë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.

Procedura e dhënies në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor përmes ankandit rregullohet nga legjislacioni për administrimin e pronës publike dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Sipas këtyre rregullave, ankandi duhet të zhvillohet si një procedurë e hapur dhe transparente, ku autoriteti vendor publikon paraprakisht njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në kanalet zyrtare të komunikimit të bashkisë apo të Këshillit Bashkiak, duke përcaktuar qartë objektin, sipërfaqen, vendndodhjen, vlerën fillestare dhe kushtet e përdorimit të pronës.

Megjithatë, në këtë rast nuk rezulton të ketë pasur një njoftim publik në kanalet e komunikimit të Bashkisë apo të Këshillit Bashkiak për hapjen e ankandit.

Praktika e ankandeve për tokat publike

Dhënia në përdorim e tokave nga fondi pyjor dhe kullosor për projekte energjie është bërë një praktikë e përsëritur nga Bashkia Bulqizë. Në raste të mëparshme, bashkia ka argumentuar këto procedura duke iu referuar edhe takimeve të organizuara me banorët për konsultim publik, ku janë diskutuar planet për përdorimin e tokave për projekte energjetike.

Në tetor të vitit 2025, Bashkia Bulqizë zhvilloi një dëgjesë publike në vetëm 25 minuta dhe me prani dërrmuese të administratës të këtij institucioni, ku prezantoi planin për dhënien në përdorim me ankand të një numri të madh parcelash nga fondi pyjor dhe kullosor.

Sipas Drejtorisë së Pyjeve, bëhej fjalë për 52 parcela të shpërndara në disa zona të bashkisë, përfshirë Ramnagoren, Luçan-Batër, Thekën, Sheshe Bulqizë, Klenjë, Okshtun-Prodan, Zerqan dhe Shupenzë. Autoritetet vendore njoftuan se këto sipërfaqe, të konsideruara ekonomi pyjore apo kullosa inproduktive, mund të jepen për përdorim për projekte të ndryshme ekonomike si stalla për blegtori, bujtina turistike apo parqe fotovoltaike.

Gjatë prezantimit, parcelat u paraqitën vetëm me numra identifikues, pa dhënë detaje të plota për sipërfaqen, kufijtë apo përdorimin aktual të tyre në terren. Kjo shkaktoi shqetësime nga disa banorë, të cilët kërkuan më shumë transparencë dhe informacion të detajuar për parcelat që mund të jepen në ankand.

Ankandet kanë vijuar ndërsa në njësitë administrative deri më sot nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë publike për tokat që preken nga investime të tilla.

Në atë takim ata pak banorë që ishin në sallë, ngritën gjithashtu dyshime për mundësinë e mbivendosjes së disa parcelave me toka që ata i konsiderojnë tradicionalisht në përdorim të komunitetit. Sipas tyre, në shumë fshatra toka pyjore dhe kullosore janë përdorur brez pas brezi nga familjet, edhe pse nuk kanë certifikatë pronësie.

Gjatë dëgjesës u kritikua edhe mënyra e organizimit të konsultimit publik. Disa pjesëmarrës dhe anëtar të Këshillit Bashkiak, kërkuan që konsultimet të zhvillohen drejtpërdrejt në zonat e prekura dhe me prezantim të qartë të parcelave në hartë, duke paralajmëruar se mungesa e konsultimeve të plota mund të krijojë konflikte me banorët në të ardhmen.

Ankandi për sipërfaqen në Lubalesh nuk është rasti i vetëm i këtij lloji në territorin e Bashkisë Bulqizë. Në periudha të mëparshme janë zhvilluar procedura të ngjashme për dhënien në përdorim të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor për projekte energjetike.

Një prej tyre është edhe ankandi për një sipërfaqe prej 85.9 hektarësh në fshatin Melcu, në Njësinë Administrative Martanesh, i cili u zhvillua në fillim të vitit 2026 për ndërtimin e aerogjeneratorëve dhe instalimin e paneleve fotovoltaike, së bashku me stacionet dhe objektet mbështetëse të tyre.

Sipas të dhënave të publikuara në Buletinin e Prokurimeve Publike, ankandi u shpall më 31 dhjetor 2025 me një vlerë fillestare prej 132 mijë lekësh për hektar në vit, ndërsa procedura u zhvillua më 26 janar 2026 në ambientet e Bashkisë Bulqizë. Në këtë procedurë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, kompania “ALB-ML Solar Energy Investment” sh.p.k., e cila u shpall fituese me një ofertë prej 11,467,600 lekësh.

Ngjashëm me ankandin për sipërfaqen në Lubalesh, edhe në këtë rast procedura është zhvilluar me një numër shumë të kufizuar pjesëmarrësish. Procedurat e tilla për dhënien në përdorim të sipërfaqeve publike nga fondi pyjor dhe kullosor parashikojnë që ankandet të shpallen publikisht dhe të zhvillohen në mënyrë të hapur për të garantuar konkurrencë dhe transparencë në përzgjedhjen e investitorëve që do të përdorin këto prona./Bulqizaime