Ballina Politika Kosova është përgjigjja më e mirë për tezën mashtruese të Ramës dhe...

Kosova është përgjigjja më e mirë për tezën mashtruese të Ramës dhe Gonzatos

67
0

Thonë se është një tezë e majtë, megjithatë shumë studiues bien dakord se përdoret më së shumti nga diktaturat autoritare, ose thënë ndryshe, autokracitë elektorale.

Një ditë më parë, instituti prestigjioz ndërkombëtar V-Dem shpalli se Shqipëria e Edi Ramës është një autokraci elektorale, pra një vend që nuk mban zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ku pushteti është i përqendruar në një dorë.

Fiks si Serbia e Vuçiçit dhe Rusia e Putinit.

Por, ndërkohë që V-Dem bënte konstatimin e frikshëm bazuar në fakte, studime, të dhëna dhe prova, Edi Rama vazhdonte të përhapte tezën e autokratëve elektorale se gjithçka është një proces i vështirë dhe se problemet e Shqipërisë kanë rrënjë kulturore.

Kësaj teze i dha zë në Bruksel edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Sipas kreut të opozitës shqiptare, Sali Berisha, Gonzato ka deklaruar në Bruksel se çështja e korrupsionit dhe demokracisë në Shqipëri është një çështje kulturore.

Me fjalë të tjera, do vijë një ditë kur Shqipëria do ketë demokraci, por jo tani.

Do vijë një ditë kur Shqipëria do ketë sundim të ligjit, por jo tani.

Do vijë një ditë kur Shqipëria do mbajë zgjedhje të lira, por jo tani.

Do vijë një ditë kur Shqipëria të ketë liri të fjalës dhe mendimit, por jo tani.

Asgjë nuk do ndodhë tani për sa kohë të jetë Edi Rama në pushtet.

Por përgjigjja më e mirë për këtë tezë mashtruese majtisto-autokratike vjen nga Kosova.

Një ditë më parë, kur u mësua se Shqipëria është shpallur si diktaturë autoritare nga V-Dem, Kosova ishte në grupin e vendeve me demokraci elektorale.

Po një ditë më parë u publikua një indeks global për lumturinë, ku shihej se Kosova është shumë më lart se Shqipëria e zhytur në krim, korrupsion, mashtrim dhe mungesë demokracie.

Ndaj nëse Gonzato kërkon një përgjigje për këtë ‘problemin kulturor’ që do kohë të zgjidhet, të mos shkojë larg, por tek shteti më i ri në Europë. Të hedhë sytë nga Kosova dhe do ta kuptojë se më së paku ka rënë viktimë e një propagande të ndyrë.

Kjo është më e pakta që mund të bëjë.

Kosovës nuk iu desh kohë, por vetëm vullnet politik për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mashtrimi me ‘problemin kulturor’ edhe mund të funksionojë në qarqe të caktuara, por bllokimi i integrimit të Shqipërisë tregon qartë se Evropa nuk i përtyp më këto trillime.

Tek e fundit edhe propaganda i ka këmbët e shkurtra.