Ballina Politika Mediu: Kemi një njeri që kontrollon gjithçka, e ka kthyer vendin në...

Mediu: Kemi një njeri që kontrollon gjithçka, e ka kthyer vendin në monarki absolute

95
0

Kryetari i Partisë Republikane dhe deputeti Fatmir Mediu i ftuar në nje studio televizive, ka deklaruar se shqetësimet e Kosovës për sigurinë janë të drejta, por ka nënvizuar se edhe Shqipëria duhet të shprehë shqetësimin e saj, duke theksuar lidhjet historike dhe kombëtare mes dy vendeve.

Mediu u shpreh, se Serbia ka vazhduar provokimet në veri të Kosovës dhe se Shqipëria duhet të marrë masa bashkë me partnerët e NATO-s për të parandaluar çdo agresion të mundshëm.

Ai theksoi se aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka natyrë agresive dhe nuk kërcënon Serbinë, duke shtuar se NATO-ja është një aleancë mbrojtëse dhe jo agresive.

Ai kritikon qeverinë shqiptare për mungesën e një strategjie serioze për sigurinë kombëtare dhe për një qëndrim të njëanshëm të politikës së jashtme, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se politikat e tij e afrojnë Shqipërinë me Serbinë në vend që ta shohin atë si një problem.

Ai u shpreh se, Shqipëria duhet të ketë një qëndrim institucional të qartë, të zhvillojë diskutime serioze mbi sigurinë kombëtare dhe të mos mbështetet vetëm te një lider i vetëm.

‘Në këtë pikëpamje, mendoj që është i drejtë shqetësimi që ka Kosova, por shpresoj që ndonjë ditë do kthehet dhe shqetësimi i Shqipërisë, meqenëse jemi një komb. Sepse nuk mundet, është e papranueshme të justifikohemi që, siç thamë njëherë që Serbia nuk bën dot asnjë gjë, në një kohë që ka provokuar në mënyrë të vazhdueshme, me trupa, me mbështetje të trupave mercenare e të tjerë në veri të Kosovës dhe zhvillimet janë të tilla që ne duhet të marrim masa me partnerët tanë.

Ajo që thotë Vuçiç përsa i përket kësaj aleancës Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë, ai ishte një modul marrëdhënie e cila në thelb të vet nuk ka ndonjë tendencë për një organizim ushtarak apo ndërveprim ushtarak që mund të kërcënojë Serbinë.

E para njëherë NATO-ja është një aleancë mbrojtëse, nuk është një aleancë, domethënë, agresive. E dyta, ky është një lloj bashkëpunimi ushtarak që unë shpresoj që të mos ngelet këtu, por të zgjerohet me të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe të shkojë në krijimin e disa strukturave ushtarake të gatshme për t’i bërë ballë çdo lloj agresiviteti të mundshëm në rajonin e Ballkanit dhe jo duke fjetur gjumë se kemi artikullin pesë dhe na mbron NATO-ja.

Para artikullit pesë, është artikulli tre, është artikulli katër, dhe derisa të vijë vendimi për artikullin pesë, nuk dimë se çfarë, domethënë dëmi mund të jetë bërë në një moment agresiv të Serbisë apo të partneritetit të Serbisë me Rusinë në rajonin e Ballkanit. Dhe këtë nuk e them unë, i ke në të gjithë analizën që bën NATO-ja, domethënë në samitet e saj, shqetësimi që ka në rajonin e Ballkanit, e ke në National Defense Authorization Act të firmosur nga presidenti Trump përsa i përket ndikimit të Rusisë dhe të Kinës në rajonin e Ballkanit.

Prandaj të gjitha këto duhen merren dhe analizohen në mënyrë serioze edhe nga Shqipëria, që është vend anëtar i NATO-s, por që për fatin e keq asnjëherë nuk ulet të diskutojë seriozisht për çështjet e sigurisë. Për fatin e keq, ne nuk kemi institucione, nuk kemi Këshill të Sigurisë Kombëtare, ne kemi vetëm dëshira të shprehura nga një njeri i vetëm, i cili politikën tonë të jashtme për fatin e keq e ka njësuar me Serbinë dhe ky është Edi Rama.

Unë mendoj që e para njëherë, domethënë, kur flasim për gjëra të tilla, ka nevojë për një vullnet politik të qartë. Ka nevojë për një qëndrim institucional të qartë. Pastaj vijnë dhe vendosen në punë specialistët. Unë nuk di as në nivelin teknik e të tjerë që ne të kemi mbajtur një qëndrim në raport me zhvillimet në Serbi. As komitete ushtarake, as në nivelin e ambasadorëve, as edhe në samitet e NATO-s.

Biles qëndrimi që u mor kohët e fundit për të njësuar politikën tonë të jashtme në raport me BE-në me Serbinë, tregon qartë që ne Serbinë nuk e shikojmë si problem, nuk e shikojmë si kundërshtar, por e shikojmë si partner. Dhe ky është një dëm jashtëzakonisht i madh për politikën tonë të jashtme, rrugën tonë europiane, por në mënyrë të veçantë për Kosovën.

Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që me vendet e tjera anëtare të NATO-s në Ballkan, të rrisim marrëdhënien tonë politike, mirëkuptimin politik për çështjet e sigurisë, sepse është shumë e rëndësishme, të kuptojmë si mund të investojmë 5% në mbrojtje, sepse nuk është një ushtrim buxhetor, por është çështje e ngritjes së kapaciteteve operacionale, ndërveprimit me forcat e armatosura të vendeve anëtare të NATO-s, qëndrueshmërinë e këtyre investimeve, për t’i parë pastaj kthyer këto investime edhe në ekonomi of scale për të përfituar ekonomikisht, por dhe sidomos në partneritet me industrinë ushtarake amerikane apo qoftë edhe atë europiane.

Dhe deri tani nuk kemi asnjë diskutim të kësaj, kësaj që po ndodh. Pra nuk kemi asnjë institucion që të flasë, kemi vetëm një njeri i cili domethënë mendon që di çdo gjë dhe kontrollon çdo gjë dhe e ka kthyer në monarki absolute, por në një marri që devijon nga qëndrimi ynë si vend anëtar i NATO-s apo vend anëtar që do të bëhet, vend që do të bëhet anëtar i Bashkimit Europian’, tha ndër të tjera Fatmir Mediu.