Kampionet e marra nga asteroidi Ryugu kanë zbuluar për herë të parë të gjitha nukleobazat apo elementët kyçë që formojnë ADN-në dhe ARN-në, dhe që përbëjnë blloqet themelore të jetës.
Ky zbulim konsiderohet si një hap i rëndësishëm në kërkimin për origjinën e jetës. Asteroidi 162173 Ryugu, një trup qiellor rreth një kilometër i gjerë dhe me formë këndore, i përket klasës C të asteroidëve, të pasur me karbon.
Ky i fundit konsiderohet grupi më i zakonshëm i asteroidëve në sistemin diellor. Për këtë arsye, ai konsiderohet kandidat i përshtatshëm për të hetuar elementët kimikë nga të cilët mund të jenë zhvilluar format e para të jetës. Sonda japoneze Hayabusa‑2 nisi misionin drejt Ryugu më 3 dhjetor 2014, mori kampione nga sipërfaqja e asteroidit dhe disa shtresë të brendshme të tij, dhe pas kthimit në Tokë dhjetorin e 2020-tës, dorëzoi rreth 5,4 gram materiale në Australine Jugore. Që atëherë, kampionet po analizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Ekipi i udhëhequr nga Toshiki Koga nga Agjencia Japoneze për Shkencat Detare dhe Tokësore raportoi në Nature Astronomy se, krahas uracilit, të cilin e kishin gjetur më parë në 2023, mostrat përmbajnë edhe adeninë, guaninë, citozinë dhe timinë. Koga paralajmëron që ky zbulim nuk do të thotë se në Ryugu ka pasur jetë, por tregon se asteroidët primitivë mund të prodhojnë dhe ruajnë molekula të rëndësishme për kiminë e origjinës së jetës.. Studimi i ri ofron dëshmi më të plotë deri tani për përhapjen e tyre në sistemin tonë diellor.







