Ballina Ekonomia “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, gati skema e re në mbështetje të bizneseve të...

“Dyfisho ndërmarrjen tënde”, gati skema e re në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme

100
0

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur nisjen e një instrumenti të ri financiar në mbështetje të sipërmarrjes, përmes programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama theksoi se programi do të lançohet së shpejti dhe do të krijojë mundësi konkrete për bizneset që të zgjerojnë aktivitetin dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

“Këtu nuk kam parasysh thjesht ndërmarrjet bujqësore, por të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të mbështeten”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar qasjen gjithëpërfshirëse të kësaj nisme.

Sipas tij, ky instrument i ri do të financohet nga qeveria dhe synon të shërbejë si një mekanizëm shtesë për zhvillimin ekonomik, duke krijuar edhe një urë lidhëse me shqiptarët e diasporës, përmes rritjes së mundësive të investimit dhe zgjerimit të biznesit në vend.

Programi pritet të fokusohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese, zgjerimin e tregjeve dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, në një moment kur sektori i NMVM-ve mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.