Ballina Rajoni I dërguari i BE pas takimit me zyrtarin e DASH-it: Siguruam harmonizim...

I dërguari i BE pas takimit me zyrtarin e DASH-it: Siguruam harmonizim për hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi

67
0

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se me Shtetet e Bashkuara kanë siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog. Ai është takuar në Departamentin amerikan të Shtetit me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. DASH-i ka njoftuar për mbajtjen e takimit, por nuk ka dhënë detaje për të. “Takim i shkëlqyer me zyrtarin e lartë të Byrosë, Brendan Hanrahan, në Departamentin e Shtetit. Diskutuam për dialogun, arritjet e fundit dhe siguruam harmonizimin për hapat përpara”, shkroi emisari evropian në X.

Takimi mes emisarit evropian dhe zyrtarit të lartë amerikan vjen pasi më 14 mars, gjatë një takimi në Prishtinë të Sorensenit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Kosova u pajtua që të ofrojë lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë lidhur me Ligjit për të huajt. Ky ligj, së bashku me atë për automjete nisi të zbatohej plotësisht një ditë më pas. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ofruar lehtësira është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, Serbia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe BE-së për zbatimin e Ligjit për të huajt, por ka shtuar se çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij. “E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 17 mars. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet.

Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht. Ligji për të huajt u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.