Goditet një bazë shpërndarjeje e maskuar si lavazh automjetesh në Sarandë.
Për pasojë u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan rreth 1 kg kanabis.
“Në vijim të operacioneve të pandërprera për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas një pune intensive operative dhe hetimore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kamuflimi”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve R. M., 51 vjeç dhe I. P., 22 vjeç, banues në Sarandë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas ushtronin veprimtari të paligjshme në fushën e shitjes së lëndëve narkotike, në ambientet e një lavazhi automjetesh, në rrugën “Idriz Alidhima”, Sarandë, të cilin e kishin përshtatur si bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe sende të tjera që shërbenin për ndarjen dhe ambalazhimin e saj, konkretisht: 2 targa automjetesh, 1 targë motomjeti dhe letër alumini.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.







