Ballina Kosovë Orav tregon prapaskenat e dakordimit me Kurtin për Ligjin për të huajt

Orav tregon prapaskenat e dakordimit me Kurtin për Ligjin për të huajt

89
0

Shefi në largim i Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, e ka vlerësuar marrëveshjen e arritur më 14 mars ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian si një moment të rëndësishëm në adresimin e sfidave që lidhen me zbatimin e Ligjit për të Huajt.

Ai në një diskutim me disa gazetarë nënvizoi se, megjithëse marrëveshja nuk është domosdoshmërisht një dokument formal i nënshkruar publikisht, ajo përbën një dakordim të qartë politik dhe praktik mes palëve.

Duke treguar prapaskenat e dakordimit me Kurtin, ai e vlerësoi kompromisin që bëri duke njohur letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia për të zbatuar ligjin për të huajt dhe automjetet, dhe krijuar lehtësira komunitetit serb që s’janë të pajisur me dokumente të Kosovës.

Për kritikat e PDK-së dhe AAK-së për këtë veprim, Orav tha se është punë e secilës opozitë të kritikojë, përkundër që marrëveshja është një arritje e madhe.

Orav: Marrëveshja për Ligjin për të huajt dhe atë për automjete është e jashtëzakonshme

“Marrëveshja e 14 marsit, e cila u arrit para pak ditësh, është e jashtëzakonshme. Është diçka ku të dyja palët u desh të lëshonin pak diçka dhe të mos fitonin çdo gjë. Ajo tregoi se është e mundur të bisedohet, se është e mundur të arrihet diçka. Dhe një gjë, kjo marrëveshje është rezultat në këtë proces dhe mendoj se kjo është vlerësuar edhe nga kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Tani është çështje e zbatimit, si palët do ta zbatojnë, por çka kam dëgjuar në deklaratat publike, ka gatishmëri për të ecur përpara në mënyrë shumë konstruktive. Kështu që mendoj se, edhe Qeveria e Kosovës, meqë bërja e këtyre kompromiseve është e vështirë, ajo kritikohet nga opozita. Është detyrë, është punë e opozitës të kritikojë qeverinë në secilin vend të botës. Megjithatë, kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog, është shumë i gatshëm që të ecë përpara”, thekson ai.

Ai nuk tregoi se për sa kohë kanë zgjatur negociatat për këtë dakordim me Kurtin, mirëpo shtoi se në diplomaci ka shumë mundësi sesi të ecet përpara.

Orav thotë se marrëveshja adreson drejtpërdrejt vështirësitë që kishin dalë gjatë përpjekjeve për zbatimin e ligjit, i cili ishte shtyrë disa herë pikërisht për shkak të paqartësive në terren.

Orav tregon prapaskenat e dakordimit me Kurtin për Ligjin për të huajt

“Ne kemi arritur një marrëveshje se si do të zbatohet ligji për të huajt. Diçka që ishte shtyrë dy herë. E dini, nga ana jonë, nëse shohim që ka ndonjë problem, më pastaj mund të kthehemi dhe të themi, okay, ju lutem shtyjeni prapë. Shtyjeni prapë nënkupton se ta shtyni derisa ta zgjidhni problemet. Nëse ka probleme, ne e kuptojmë se gjatë këtij procesi ka pasur disa probleme. Kjo ka qenë arsyeja pse zbatimi i plotë i këtij ligji është shtyrë, apo zbatimi gradual i tij ka filluar me 15 janar dhe ne u dakorduam që të ketë edhe një proces rishikimi. Trupat diplomatike, të gjithë ambasadorët, dy herë kanë pasur takim me kryeministrin Kurti për të diskutuar këtë proces, pastaj takime të tjera për të parë se si po funksionon çdo gjë dhe u kuptua se kanë mbetur edhe disa gjëra për t’u bërë. Siç është për shembull, çështja e dokumenteve të identifikimit që do të mund të përdoreshin për regjistrim të martesave, shkurorëzimeve e të tjerëve. Ne besojmë se ky është një hap shumë i mirë përpara që është arritur. Ka pasur edhe paqartësi lidhur me institucionet arsimore dhe shëndetësore të menaxhuara nga Serbia, kush mund të punojë në to. Prapë, e mirëpresim faktin që tashmë kjo është e qartë, do të lëshohen leje të qëndrimit të përkohshëm në bazë të listave të cilat do të ofrohen, do të jepen nga komuna. Kjo është një arritje e madhe sepse këto lista nuk kanë qenë të gatshme të jepen më herët. Kjo jep mundësinë që të ecet përpara sepse ka qenë problem. Ka qenë problem. Tani edhe popullata në veri e sheh se është e mundur që të ecet përpara, të zgjidhen problemet”, shton Orav.

Orav konfirmon se çështja e integrimit të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të menaxhuara nga Serbia në sistemin e Kosovës është tashmë pjesë aktive e angazhimit të Bashkimit Evropian.

Duke folur për këtë proces, Orav theksoi se ai është në fokus të vazhdueshëm të BE-së dhe po zhvillohet në koordinim të ngushtë me autoritetet në Prishtinë dhe përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ai shtoi se procesi po zhvillohet në konsultim të ngushtë me komunitetin serb në Kosovë, me qëllim që të shmangen tensionet dhe të sigurohet funksionim i pandërprerë i shërbimeve publike.

Kur do të integrohet shëndetësia dhe arsimi që menaxhohen nga Serbia në sistemin e Kosovës?

“Absolutisht, është shumë në radarin tonë. Kur ishte konferenca e shtypit mes kryeministrit Kurtit dhe përfaqësuesit të veçantë Peter Sorensen, ai e përmendi se BE-ja i ka vënë, i ka mbjellë farat e veprimeve të kryeministrit Kurti për integrimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore të menaxhuara aktualisht nga Serbia, në konsultim të ngushtë me komunitetet serbe pa i çrregulluar apo ndërprerë shërbimet dhe në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin e veçantë të Bashkimit Evropian, pra përmes dialogut. Po, absolutisht jemi të përfshirë. E dimë se ky informacion ka dalë dhe ajo çka është po ashtu e jashtëzakonshme, kjo temë pothuajse ka qenë tabu para një viti. Tani po flasim për të. Por sigurisht, kjo merr kohë. Nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës, merr kohë dhe ka nevojë ndihmën tonë, pra të Bashkimit Evropian që të jetë aty dhe të ndihmojë që këto gjëra të bëhen si duhet”, thotë ai.

Sipas tij, marrëveshja është mirëpritur edhe nga pala serbe dhe përfaqësuesit lokalë serbë në Kosovë, duke e cilësuar si një shembull të bashkëpunimit pragmatik në funksion të zgjidhjes së problemeve konkrete.

Orav: Marrëveshja u prit edhe nga serbët lokal në Kosovë

“Ne mund ta quajmë marrëveshje, mund ta quajmë edhe në ndonjë mënyrë tjetër, por po, jemi dakorduar si Bashkim Evropian me qeverinë e Kosovës këtu dhe kjo pastaj u lavdërua shumë nga qeveria e Serbisë, po ashtu, por edhe nga politikanët lokal serb këtu në Kosovë. Në diplomaci ka shumë, shumë mundësi se si të ecet përpara. A duhet vetëm që të bësh një fotografi që një burrë dhe një grua janë të ulur në një sallë dhe duke u shtrënguar duart e njëri-tjetrit? Kjo është një mënyrë, por ka dhe shumë mundësi se si kjo mund të funksionojë. Puna e diplomatëve nuk është e lehtë me u sqaruar fare, sepse ajo çfarë bëjmë ne nuk është e dukshme. Puna e politikanëve, ajo shihet dhe çfarë ne bëjmë, u ndihmojmë politikanëve që të zgjidhin problemet në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaron Orav..