Japonia mund të konsiderojë dërgimin e forcave të saj ushtarake për pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë, nëse arrihet një armëpushim në luftën midis SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, tha ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi të dielën, raporton Reuters.
“Nëse do të kishte një armëpushim të plotë, po flasim hipotetikisht, atëherë çështje të tilla si pastrimi i minave mund të dalin në diskutim”, tha Motegi gjatë një programi në Fuji TV.
“Kjo është thjesht hipotetike, por nëse arrihet armëpushimi dhe minat detare krijojnë pengesa, mendoj se kjo do të ishte diçka për t’u konsideruar nga ne”, shtoi ai.
Veprimet ushtarake të Japonisë janë të kufizuara nga kushtetuta pacifiste e pasluftës, por ligjet e sigurisë të vitit 2015 i lejojnë Japonisë të përdorë Forcat e saj të vetëmbrojtjes jashtë vendit nëse një sulm, përfshirë ndaj një partneri të ngushtë të sigurisë, kërcënon ekzistencën e Japonisë dhe nuk ka mënyra të tjera për ta adresuar atë.
Tokio nuk ka plane të menjëhershme për të kërkuar marrëveshje që të lejojnë kalimin e anijeve japoneze të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, tha Motegi, duke shtuar se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” të krijohen kushte që të gjitha anijet të mund të lundrojnë përmes këtij kanali të ngushtë ujor, që është rruga për një të pestën e furnizimeve botërore me naftë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i tha agjencisë japoneze të lajmeve ‘Kyodo’ se kishte biseduar me Motegin për mundësinë e lehtësimit të kalimit të anijeve që lidhen me Japoni përmes gjirit.
Japonia merr rreth 90% të furnizimeve të saj me naftë përmes kësaj ngushtice, të cilin Teherani e ka mbyllur pothuajse plotësisht gjatë luftës, që tashmë është në javën e katërt. Rritja e çmimeve globale të naftës ka nxitur Japoninë dhe vende të tjera të lëshojnë rezervat e tyre të naftës.







