Një ngjarje e pazakontë është zbuluar në qytetin e Lushnjës, ku një 21-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se lëvizte i armatosur në ambientet e qytetit.
Sipas informacioneve, i riu ndodhej në një bar-kafe në lagjen “Xhevdet Nepravishta” së bashku me disa shokë të tij. Policia, pasi mori informacion në rrugë operative, ndërhyri për ta kapur, por 21-vjeçari ishte larguar pak minuta më parë nga lokali.
Gjatë kontrollit në tavolinën ku qëndronin të rinjtë, u gjet një xhup mbi një karrige, në xhepin e të cilit ndodhej një armë zjarri pistoletë me municion. Pas verifikimeve, rezultoi se xhupi dhe arma i përkisnin shtetasit M. S., 21 vjeç, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Në vendngjarje u arrestuan 5 të rinj që ndodheshin në tavolinë me të, pasi nuk bashkëpunuan me autoritetet dhe nuk treguan kujt i përkiste arma, duke penguar veprimet e policisë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit, u gjet edhe municion luftarak shtesë. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar arma e zjarrit, fishekët, një automjet dhe 5 telefona celularë.
Policia vijon punën për kapjen e të riut, ndërsa hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.







