Shumë njerëz fajësojnë mediat sociale për këtë rënie të lumturisë, sipas gjetjeve të publikuara në edicionin e vitit 2026 të Raportit Botëror të Lumturisë.
Përdorimi i tepërt i mediave sociale duket se po kontribuon në rënien e mirëqenies tek të rinjtë në vendet anglishtfolëse dhe në Evropën Perëndimore, veçanërisht tek vajzat, thotë Raporti, i botuar nga Qendra e Kërkimit të Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, në partneritet me Gallup, Rrjetin e Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe një bord editorial të pavarur.
Vlerësimet e jetës midis personave nën 25 vjeç në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re kanë rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, ndërsa mesatarja për të rinjtë në pjesën tjetër të botës është rritur, sipas të dhënave të Gallup World Poll.
Pavarësisht niveleve të ngjashme të përdorimit të mediave sociale krahasuar me vendet e tjera, rëniet më të mëdha të mirëqenies tek të rinjtë vërehen në këto vende.
Një anketë ndërkombëtare me 15-vjeçarë në gati 50 vende sugjeron se përdorimi i rëndë i mediave sociale, shoqërohet me një rënie të ndjeshme të mirëqenies midis studentëve të anketuar.
Të rinjtë që përdorin mediat sociale për më pak se një orë në ditë raportojnë nivelet më të larta të mirëqenies – më të larta se ata që nuk i përdorin fare mediat sociale. Por adoleshentët, sipas një vlerësimi, kalojnë mesatarisht 2.5 orë në ditë në mediat sociale.
Edicioni i 14-të i Raportit Botëror të Lumturisë përmban gjithashtu një renditje të vendeve më të lumtura në botë.
Finlanda kryeson botën për lumturinë për një vit rekord të nëntë radhazi, me finlandezët që raportojnë një rezultat mesatar prej 7.764 (nga 10) kur u kërkohet të vlerësojnë jetën e tyre.
Kosta Rika ngjitet në pozicionin e saj më të mirë ndonjëherë, duke vazhduar një ngritje shumëvjeçare nga vendi i 23-të në vitin 2023, në vendin e 4-t këtë vit, ndërsa Zvicra, ish-lidere e tabelës, rihyn në 10 vendet e para pas një mungese njëvjeçare.
Trendet e vazhdueshme në rritje për vende të tilla si Kosova (e 16-ta), Sllovenia (e 18-ta) dhe Republika Çeke (e 20-ta) nënvizojnë konvergjencën e niveleve të lumturisë midis Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe Evropës Perëndimore.
Renditja e vitit 2026 shënon vitin e dytë radhazi që asnjë nga vendet anglishtfolëse, Zelanda e Re (e 11-ta), Irlanda (e 13-ta), Australia (e 15-ta), Shtetet e Bashkuara (e 23-ta), Kanadaja (e 25-ta) dhe Mbretëria e Bashkuar (e 29-ta) nuk shfaqet në 10 vendet e para.
Kombet në ose pranë zonave të konfliktit të madh, mbeten në fund të renditjes.
Jan-Emmanuel De Neve, Drejtor i Qendrës së Kërkimeve për Mirëqenien në Oksford, Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Oksfordit dhe redaktor i Raportit Botëror të Lumturisë, thotë: “Provat globale e bëjnë të qartë se lidhjet midis përdorimit të mediave sociale dhe mirëqenies sonë, varen shumë nga platformat që përdorim, kush i përdor ato dhe si, si dhe për sa kohë.
Përdorimi i tepërt shoqërohet me mirëqenie shumë më të ulët, por ata që largohen qëllimisht nga mediat sociale duket se po humbasin disa efekte pozitive. Përtej kompleksitetit, është e qartë se duhet të përpiqemi sa më shumë të jetë e mundur ta rikthejmë “socialen” në mediat sociale.”







