Nga Auron Tare
Gazeta New York Times e 9 janarit 1941, në një prej artikujve të kronikës që vinte nga fronti italo-grek, shkruante se Ministri i Edukimit Fashist dhe anëtar i Këshillit të Madh të Fashizmit, Giuseppe Bottai, i ishte bashkuar trupave italiane në frontin e luftës.
Në fakt, Giuseppe Bottai ishte vendosur pranë trupave alpine më herët, duke qëndruar për disa javë në bazën e alpinëve të Divizionit “Julia” në qytetin e vogël të Tepelenës. Ketu ne kete qyteze te vogel buze Vjoses fillojne edhe Ditaret e tija te Luftes te cilat flasin per një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës së tij, të treguar me mjeshtëri në librin e shkruar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në bazën e alpinëve në Tepelenë, Giuseppe Bottai ndjeu për herë të parë zhgënjimin e madh ndaj propagandës fashiste, e cila kishte dërguar në front mijëra të rinj italianë, të cilët në dimrin e ashpër të vitit 1940 po vdisnin në malet e ashpra shqiptare. Divizioni Julia, një prej njësive elitare italiane e ngritur si trupë malore, ishte një prej njësive që kishte pësuar humbjet më të mëdha në front. Beteja e ashpër në Perat te Leskovikut, ku në sulmin ndaj pozicioneve greke alpinët kishin pësuar humbje të mëdha, por në veçanti betejat në malin e Golikut dhe të Trebeshinës, i bënë alpinët e Julias ndër humbësit më të mëdhenj të palës italiane. Me ta, gjatë gjithë dimrit të ashpër, ishte pikërisht një prej ideologëve më të mëdhenj të fashizmit, i cili vullnetarisht ishte bashkuar trupave alpine, duke qenë dëshmitar i vuajtjeve në front.
Giuseppe Bottai nuk ishte një kronikan betejash dhe as një oficer i zakonshëm që kishte mbërritur vullnetarisht në Tepelenë. Ai ishte një prej ideologëve kryesorë të fashizmit italian. Bashkëudhëtar i Benito Mussolini që nga takimi i tyre i parë në vitin 1919, ai u rreshtua në njësitë e para fashiste, Fasci Italiani di Combattimento. Gazetar i gazetës së Partisë Fashiste, Il Popolo d’Italia, Bottai mori pjesë në Marshimin e famshëm të Romës më 1922. Anëtar i Parlamentit në 1924, Bottai u caktua nga Mussolini si guvernator i Romës.
Mori pjesë në luftën e Etiopisë, ku u caktua guvernator i Addis Abebës dhe, pas kthimit në Itali, u emërua Ministër i Edukimit Fashist. Bottai mbeti një prej ministrave më jetëgjatë dhe mjaft kontrovers. Nga njëra anë, ai ishte ideologu kryesor i propagandës fashiste, i edukimit fashist në shkollat italiane, i ligjeve racore dhe i ligjeve specifike për trajtimin e hebrenjve në Itali. Por, ndërkohë, ai promovoi artet, arkitekturën dhe kinematografinë, duke besuar se edukimi dhe kultura ishin mjetet më të rëndësishme të fashizmit.
Gjatë viteve ’30 ishte një prej adhuruesve të Gjermanisë hitleriane dhe disiplinës prusiane. Themeloi një revistë me tendenca të forta pro-gjermane dhe mbështeti fuqishëm futjen e Italisë në Luftën e Dytë Botërore. Kontributi i Bottait në kulturën italiane pati efekte të forta edhe pas luftës, kur ai vazhdoi të shkruante dhe botonte artikujt e tij, shpesh në kundërshti me periudhën e epokës fashiste.
Por Giuseppe Bottai pati një ndikim të fortë edhe në kulturën shqiptare gjatë periudhës së pushtimit italian. Pasi mbërriti në Shqipëri në vitin 1939, ai luajti një rol kyç në formësimin e integrimit kulturor dhe ideologjik të Shqipërisë në sferën e Italisë fashiste.
Bottai argumentonte se promovimi i ideologjisë fashiste përmes kulturës dhe arsimit ishte çelësi i okupimit kulturor të territoreve të reja, duke krijuar një shtresë të rëndësishme për integrimin e popullsisë nën ideologjinë fashiste. Si Ministër i Arsimit, ai kërkonte që fokusi kryesor të ishte ndikimi intelektual dhe kulturor.
Ai mbështeti krijimin e akademise , përfshirjen e intelektualëve të kohës në institucionet italiane për t’u dhënë atyre prestigj ndërkombëtar, si dhe, me ndihmën e Ministrit shqiptar të Arsimit, Ernest Koliqi, përhapjen e ideologjisë fashiste në shkolla. Inkurajoi reformat arsimore në stilin italian dhe promovoi gjuhën dhe kurrikulën italiane.
Me synimin e “italianizimit” të shoqërisë shqiptare, veçanërisht të brezit të ri, ai mbështeti krijimin dhe forcimin e instituteve kulturore italiane në Shqipëri, shkëmbimet artistike dhe letrare midis Italisë dhe Shqipërisë, si dhe publikimet, gazetat, shfaqjet teatrore dhe kinemanë me theks në promovimin e ideve fashiste.
Bottai synonte që, nëpërmjet politikës kulturore, të riformatonte identitetin shqiptar për ta lidhur sa më ngushtë me Italinë fashiste. Ai argumentonte se ndikimi intelektual ishte më efektiv se kontrolli ushtarak.
Eksperienca e tij e gjatë e bënte të besonte se, ndryshe nga guvernatorët ushtarakë, roli i kulturës, arsimit dhe elitës ishte mjeti më i mirë për kontroll afatgjatë të vendeve të okupuara si Shqipëria. Duke punuar nën Benito Mussolini, Bottai mbështeti idenë se Shqipëria do të bëhej një shtet satelit model brenda një perandorie më të gjerë italiane në Ballkan.
Megjithatë, edhe pse Bottai i shtyu personalisht përpara këto përpjekje, shumë shqiptarë i rezistuan “okupimit” kulturor italian. Politikat e tij patën sukses të kufizuar afatgjatë, veçanërisht ndërsa Lufta e Dytë Botërore u intensifikua, deri sa Giuseppe Bottai mbërriti në Tepelenën e dimrit të vitit 1940.
Janë të njohura sot disa nga raportet e Bottait, dërguar komandës supreme dhe Këshillit të Lartë Fashist nga fronti i luftës. Në këto raporte, të botuara pas luftës, ai flet për sakrificat e mëdha të ushtarëve alpinë në malet e Shqipërisë dhe më vonë të Greqisë, sidomos në malet e Pindit, ku Divizioni Julia pati luftime të ashpra.
Në realitetin e luftës, Bottai kuptoi se propaganda e ndërtuar prej vitesh kishte maskuar një regjim joefikas. Zhgënjimi i tij ndaj luftës në Greqi nuk lidhej vetëm me një fushatë të dështuar; në malet e Shqipërisë ai kuptoi se udhëheqja fashiste, në të cilën ai kishte qenë pjesë që nga viti 1919, ishte joefektive, jorealiste dhe e dëmshme për Italinë.
Në ditarët e tij personalë, të botuar më vonë si “Diario 1935–1944”, ai hodhi reflektime nga fronti, të cilat konsiderohen si një nga burimet më të sinqerta të një udhëheqësi fashist për Italinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në to, ai kritikonte në mënyrë të tërthortë Mussolinin për nisjen e pushtimit pa përgatitje të mjaftueshme dhe e përshkruante fushatën si të nxituar, të çorganizuar dhe të bazuar më shumë në krenari sesa në strategji.
Ai shkruante se ushtria italiane, që pritej të fitonte shpejt, u bllokua dhe u zmbraps nga forcat greke, duke bërë që propaganda të turpëronte regjimin. Shkrimet e tij tregojnë një shkëputje të brendshme nga fashizmi. Ai shprehu shqetësim për ushtarët e thjeshtë italianë, të pajisur dobët, që vuanin në kushte të vështira dhe paguanin çmimin e gabimeve politike të Mussolinit dhe rrethit të tij të afërt.
Bottai ishte një prej anëtarëve të Këshillit të Madh të Fashizmit që, së bashku me dhëndrin e Mussolinit, kontribuan në rrëzimin e tij. Ai u bë aktiv në përpjekjet për ndryshimin e kursit të Partisë Fashiste, por zhvillimet politike botërore i tejkaluan përpjekjet e tij.
Pas rikthimit të Mussolinit dhe krijimit të qeverisë së Salos, Bottai u dënua me vdekje. Ai kaloi kufirin franko-italian dhe, për të humbur gjurmët, iu bashkua Legjionit të Huaj francez duke ndryshuar emrin. Fundi i luftës e gjeti nën uniformën franceze dhe deri në vitin 1948 jetoi në Francë, derisa mori falje nga qeveria italiane.
Më pas u rikthye në Romë, ku mbeti aktiv në shtyp dhe në jetën politike deri në fund të viteve ’50.







