Ballina Ekonomia Pagat mbajnë buxhetin, investimet nuk prodhojnë rritje

Pagat mbajnë buxhetin, investimet nuk prodhojnë rritje

105
0

Ekonomia shqiptare dha shenjat e para të lodhjes, pas një periudhe kur buxheti i shtetit u ushqye nga bumi i ndërtimit, shifrat rekord të turizmit dhe rritja e pagave përmes indeksimit dhe një reagim më i mirë nga tregu i punës.

Teksa burimet kryesore të rritjes po shfaqin shenja maturimi, me agoninë e industrisë dhe bujqësisë dhe eksportet me rënie, arkës së shtetit i duhet të gjejë një linjë të re për të mbajtur ritmin e shpenzimeve gjithnjë e në rritje.

Vitin e kaluar, buxheti publik arkëtoi 44.3 miliardë lekë më shumë se në 2024, me rritje 6.2%, ritmi më i ulët që pas pandemisë. Për më tepër, 78% e rritjes erdhi nga tatimet mbi pagën dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

Ekonomistët mendojnë se në një sistem të shëndetshëm, rritja duhet të jetë produkt i shpërndarë mes konsumit dhe fitimeve të bizneseve. Mirëpo, fakti që motori i vetëm që prodhon para për shtetin mbetet paga (përmes TAP dhe sigurimeve), dëshmon një rritje të barrës për klasën e mesme dhe profesionistët.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, sistemi fiskal shqiptar po pëson një ndryshim rrënjësor strukturor, ku tatimet mbi pagat po bëhen kolona kryesore e sistemit. Sipas tij, nëse historikisht TVSH-ja ka qenë shtylla e buxhetit, viti 2024 shënoi kthesën e parë ku tatimi mbi pagat e tejkaloi atë, një trend që po thellohet ndjeshëm gjatë vitit 2025 dhe pritet të forcohet edhe më shumë në 2026, si pasojë e rritjes së pagës minimale.

Sipas ekspertit, efekti që nisi me reformën e pagave në administratën publike gjatë viteve 2023-2024, tashmë është pasqyruar plotësisht edhe në sektorin privat.

Megjithatë, kjo ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e ardhshme, ndërkohë që sektori i ndërtimit po shkon drejt maturimit, sektori i turizmit, pavarësisht rritjes, vijon të ketë hapësira të mëdha evazioni dhe nuk po kontribuon në arkën e shtetit proporcionalisht me xhiron e tij.

Në këtë kontekst, tatimet mbi pagat po kthehen “de facto” në kolonën kryesore të sistemit, duke mbajtur peshën që dikur e mbante konsumi. Rritja e pagave gjithashtu u kthye në instrumentin kryesor për rritjen e ekonomisë dy vitet e fundit.

Në vitin 2024, ekonomia shqiptare u rrit rreth 4%, por nëse shihen të detajuar kontribuuesit në këtë ecuri, realiteti është zhgënjyes. Në vend që rritja të ushqehet nga prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet apo industria, ajo është mbajtur kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës, duke theksuar një model të rritjes së nxitur nga politika buxhetore dhe jo nga baza reale prodhuese.

Kjo tendencë ka vijuar edhe në vitin 2025, ku sektori i administratës publike ka qenë kontribuuesi më i madh i rritjes së PBB-së deri në fund të 9-mujorit.

Në krahun tjetër të bilancit buxhetor, shpenzimet u dominuan nga pagesat e pensioneve që kaluan një faturë 204 miliardë lekë, mbi 2 miliardë euro ose 25% e totalit të shpenzimeve. Shpenzimet kapitale ishin zëri i dytë më i madh, me rreth 132 miliardë lekë, mbi 1.3 miliardë euro. Gjatë dekadës së fundit nga 2014-2025 janë shpenzuar rreth 10 miliardë euro në zërin e investimeve, rreth 4,200 euro për frymë.

Krahasimi me fqinjët tanë, si Kosova apo Maqedonia e Veriut, tregon se Shqipëria, ndonëse shpenzon më shumë në vlerë absolute, vuan nga mungesa e efikasitetit. Ndërsa rajoni po mbyll korridoret strategjikë dhe po investon në pavarësi energjetike, kapitali shqiptar shpesh digjet në procese të gjata burokratike, riparime të vazhdueshme të veprave të ndërtuara keq dhe projekte PPP me kosto të fryra.

Në krahun e të ardhurave gjithnjë e më shumë po reduktohet hapësira kontribuuese e biznesit, dhe në anën tjetër, investimet publike nuk po nxisin rritjen ekonomike./Monitor