Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës Kombëtare përpara Kryeministrisë, në orën 18:00.
Policia e Tiranës ka njoftuar masat që do të merren për këtë protestë dhe rrugët të cilat do të bllokohen.
Njoftimi i policisë:
Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik në tubimin që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.
Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore. Konkretisht:
-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.







