Një nga ndeshjet më të mëdha të kalendarit futbollistik do të zhvillohet të dielën mbrëma në “Bernabeu”, ku Real Madridi pret rivalin e përbetuar Atletico Madridin në derbin e kryeqytetit.
“Los Blancos” aktualisht janë të dytët në tabelën e La Liga-s, katër pikë prapa liderit Barcelonë, ndërsa Atletico mban vendin e tretë, nëntë pikë larg rivalit të qytetit.
Mungesat e dy skuadrave:
Real Madridi do të jetë pa Eder Militon, Dani Ceballos, Rodrygo dhe Thibaut Courtois, të cilët janë jashtë për këtë takim. Megjithatë, Ferland Mendy, David Alaba dhe Raul Asencio mund të rikthehen në skuadër, ndërsa Jude Bellingham është sërish i gatshëm pas rikuperimit nga lëndimi në muskulin e pasmë.
Kylian Mbappe u rikthye nga lëndimi në gju si zëvendësues ndaj Manchester Cityt dhe pritet të luajë nga minuta e parë përkrah Vinicius Junior në sulm, ndërsa Alvaro Carreras mund të rikthehet në krahun e majtë të mbrojtjes.
Te Atletico Madridi, Pablo Barrios dhe Rodrigo Mendoza mungojnë për shkak lëndimesh, ndërsa Jan Oblak është në dyshim të madh për shkak të një problemi në ijë. Nëse ai mungon, Juan Musso pritet ta nisë sërish në portë.
Marc Pubill mund të rikthehet në mbrojtje për Atleticon këtë fundjavë, ndërsa Alexander Sorloth mund të startojë në sulm, me Antoine Griezmann që mund ta nisë derbin nga banka rezervë. Ndërkohë, Julian Alvarez, i cili ka shënuar 17 gola këtë sezon, do të kërkojë të shtojë shifrat e tij mes spekulimeve për të ardhmen.
Formacionet e mundshme:
Real Madrid: Lunin; Alexander-Arnold, Rudiger, Huijsen, Carreras; Camavinga, Tchouameni, Valverde; Guler; Mbappe, Vinicius
Atletico Madrid: Musso; Molina, Pubill, Hancko, Ruggeri; Simeone, Llorente, Cardoso, Lookman; Sorloth, Alvarez
Parashikimi: Real Madrid 2-1 Atletico Madrid
Që nga dhjetori i vitit 2021, Real Madridi nuk e ka mposhtur Atleticon në “Bernabeu” në La Liga, por këtë herë vendasit shihen favoritë për të marrë tri pikët. Rikthimi i Mbappes konsiderohet vendimtar dhe skuadra e Arbeloas pritet të gjejë rrugën drejt një fitoreje shumë të nevojshme.







