Ballina Aktualitet 90 padi ndaj IKMT në 4 vite për largime nga puna, mbi...

90 padi ndaj IKMT në 4 vite për largime nga puna, mbi 14 milionë lekë të paguara dhe të tjera në pritje

65
0

Dhjetëra procese gjyqësore për largime nga puna po i kushtojnë miliona lekë buxhetit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se gjatë viteve 2020–2024 janë ngritur 90 padi nga ish-punonjës që kanë kundërshtuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Gjykatat kanë pranuar 48 prej këtyre kërkesave, duke konfirmuar se largimet nga puna kanë qenë të paarsyetuara dhe në shkelje të procedurave ligjore. Deri tani, 14 vendime janë ekzekutuar, duke i kushtuar institucionit 14.4 milionë lekë. Nga kjo shumë, 13.5 milionë lekë janë kompensime për ish-punonjësit, ndërsa 833 mijë lekë janë shpenzime përmbarimore.

Megjithatë, kostoja për buxhetin pritet të rritet më tej. Sipas raportit të auditimit, 33 padi të tjera janë ende në pritje për shqyrtim në gjykatat e shkallës së parë, çka do të thotë se fatura financiare për institucionin mund të shtohet nëse vendimet rezultojnë sërish në favor të paditësve.

Auditimi evidenton gjithashtu mangësi në menaxhimin e proceseve gjyqësore nga vetë institucioni. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se në tre raste vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë nuk janë ankimuar ose janë ankimuar jashtë afatit ligjor. Si pasojë, institucionit i është pamundësuar ndjekja e shkallëve të tjera të procesit gjyqësor dhe mbrojtja e interesave financiare në instanca më të larta gjyqësore.

Sipas auditimit, këto veprime bien në kundërshtim me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe me rregulloren e brendshme të funksionimit të IKMT. Për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme dhe për të mbrojtur interesat financiare të institucionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që drejtuesit e IKMT të përforcojnë procedurat ligjore për largimet nga puna dhe të krijojnë mekanizma të brendshëm për menaxhimin dhe monitorimin e çështjeve gjyqësore, përfshirë një sistem që sinjalizon automatikisht afatet për ankimin e vendimeve të gjykatave./ekofin.al