Ballina Opinion E drejta e pamohueshme e protestës

E drejta e pamohueshme e protestës

52
0

Nga Ardi Stefa 

Një njeri që nuk proteston është një njeri që ka hequr dorë dhe është dorëzuar përballë realitetit.

Një njeri që nuk proteston, nuk është as i qetë, as i duruar. Ndoshta është i zhgënjyer kur ka parë si kanë përfunduar çdo javë “protestat më madhështore që i kallën datën regjimit.” Dhe, pasi ka parë se si janë mbyllur zhgënjimi për rezultatin ka qenë edhe më i madh…

Protesta nuk është vetëm një thirrje të dalësh në rrugë, pankartë apo zë i ngritur. Është refleks i ndërgjegjes. Është reagimi minimal që të dallon nga një kafsha. Kur padrejtësia bëhet normë dhe ti nuk reagon, nuk je më qytetar, je spektator pasiv.

Një njeri që nuk proteston mësohet me gjithçka. Me padrejtësinë, me korrupsionin, me gënjeshtrën. Ai nuk i lufton më, i justifikon. Fillon zëulët me një “ç’të bëjmë” dhe përfundon te “kështu ka qenë gjithmonë”.

Pikërisht këtu, ai pushon së qeni faktor dhe kthehet në dekor të pushtetit.

Mosprotestimi është forma më e heshtur e dorëzimit dhe e pranimit të gjendjes, mjerimit, vjedhjes, korrupsionit. Dhe një shoqëri që nuk proteston është e mpirë, e lodhur, e dorëzuar.

Por ekziston edhe një rrezik tjetër, më i rafinuar: manipulimi i kauzave. Jo çdo protestë është e pastër dhe jo çdo thirrje për të protestuar nga organizatorët është e sinqertë.

Një njeri që zgjedh të protestojë duhet të ruajë edhe një gjë tjetër po aq të rëndësishme sa zëri: vetëdijen.

Kauzat nuk duhen lënë të përdoren si flamuj të përkohshëm nga ata që kërkojnë pushtet, jo drejtësi.

Të protestosh pa menduar është po aq e rrezikshme sa të mos protestosh fare. Sepse nëse nuk e mbron kauzën tënde nga manipulimi, dikush tjetër do ta përdorë atë kundër teje.

Një njeri i lirë nuk është ai që thjesht del në protestë. Është ai që di pse del, për kë del dhe, mbi të gjitha, është ai që refuzon të bëhet vegël e të përdoret për interesat vetjake të liderëve.

Dinjiteti nuk qëndron vetëm te zëri që ngrihet, por edhe te zëri që nuk blihet.

Prandaj dilema nuk qëndron në faktin se, çfarë është një njeri që nuk proteston.
Por…: çfarë është një njeri që proteston, por për kauza që nuk i përkasin më?