“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim”, kështu ka reaguar përmes një video mesazhi në rrjetet sociale, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni pas rezultateve të referendumit që u zhvillua të dielën në Itali për nismën e qeverisë për ndryshimet kushtetuese.
Në mesazhin e saj, Meloni thotë se “do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, që bazohet te televizioni shtetëror italian, RAI, nga pothuajse një e treta e qendrave të votimit të numëruara, 54,42 për qind e votuesve kanë votuar “Jo” dhe 45,58 për qind kanë votuar ”Po”.
Këto rezultate bazohen në numërimin e votave nga më shumë se 17 000 nga 61 533 qendrat e votimit.
Një humbje në referendum do të ishte një goditje e madhe për Melonin, e cila ka udhëhequr një qeveri koalicioni jashtëzakonisht të qëndrueshme që nga tetori i vitit 2022.







