Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, duket se është në prag të sigurimit të një mandati të tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare, duke përfituar politikisht nga përplasja me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur me Groenlandën.
Sipas një analize të publikuar nga Financial Times, rikthimi i retorikës së Trump për marrjen nën kontroll të Groenlandës ka ndryshuar ndjeshëm dinamikën politike në Danimarkë, duke i dhënë Frederiksen një avantazh të ri në fushatë
Vetëm disa muaj më parë, kryeministrja daneze ndodhej në vështirësi serioze politike pas një rezultati të dobët në zgjedhjet lokale. Megjithatë, tensionet ndërkombëtare dhe qëndrimi i saj i ashpër ndaj Uashingtonit duket se kanë rikthyer besimin e një pjese të elektoratit.
“Trump e ka ndihmuar kryeministren. Gjeopolitika i ka dhënë një platformë të madhe”, vlerësoi deputetja liberale Linea Søgaard-Lidell, duke shtuar se Frederiksen ka përfaqësuar mirë interesat e Danimarkës në arenën ndërkombëtare.
Frederiksen është shquar vitet e fundit si një nga figurat më me ndikim në Evropë, falë qëndrimeve të saj të forta mbi emigracionin, mbështetjen për Ukrainën dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Megjithatë, popullariteti i saj në vend kishte rënë ndjeshëm, me Partinë Socialdemokrate që arriti nivele historikisht të ulëta në sondazhe pas zgjedhjeve lokale të nëntorit.
Situata ndryshoi në janar, kur Trump riktheu deklaratat për marrjen e Groenlandës, madje duke lënë të hapur mundësinë e përdorimit të forcës. Frederiksen reagoi menjëherë duke deklaruar se territori nuk është në shitje dhe duke forcuar masat mbrojtëse në bashkëpunim me aleatët evropianë.
Kjo krizë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e mbështetjes për Socialdemokratët, të cilët sipas sondazheve të fundit kanë arritur në rreth 21%-22%, pothuajse dyfishin e partisë së dytë më të madhe në një parlament të fragmentuar.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se edhe në rast fitoreje, Frederiksen mund të dalë e dobësuar politikisht. Formimi i qeverisë pritet të jetë sfidues për shkak të numrit të madh të partive dhe ndarjeve ideologjike.
Zgjedhjet janë karakterizuar nga mungesa e një teme dominuese të brendshme, megjithëse çështje si taksa mbi pasurinë dhe politikat sociale kanë qenë pjesë e debatit. Ndërkohë, ndikimi i krizës së Groenlandës ka dominuar diskursin publik, duke e afruar politikën ndërkombëtare me shqetësimet e votuesve.







