Ballina Kulturë Picasso i fshehur në Teheran, kryevepra që bota nuk mund ta shohë

Picasso i fshehur në Teheran, kryevepra që bota nuk mund ta shohë

74
0

Një vepër e Picasso-s me vlerë të paçmuar rrezikon të mos mund të admirohet më për shkak të luftës në Iran. Piktura e njohur si “Piktori dhe modelja e tij“, bën pjesë në një koleksion shumë miliardësh kryeveprash të shekullit XX që aktualisht ndodhet nën qiellin e bombarduar të Teheranit.

Më saktësisht, ajo ruhet në një bodrum që shërben edhe si fortesë e kryeqytetit iranian, në depot e Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Ajo që është e veçantë është se historia e saj lidhet ngushtë me ekonomitë botërore. Për shkak të embargos së naftës nga OPEC-u në vitin 1973, që katërfishoi çmimin e naftës, paralizoi ekonominë amerikane dhe gjeneroi fitime të jashtëzakonshme për Iranin, koleksionistët më të pasur nuk jetonin më në New York, por në Lindjen e Mesme. Kështu, piktori dhe modelja e tij e Pablo Picassos u bë pronë e Iranit që nga vitet ’70.

Një kryevepër në rrezik

Piktura e vitit 1927, sipas Bloomberg, është ndoshta kanavaca më e rëndësishme në botë që nuk mund të vizitohet apo shihet. Historiani i artit Jeremy Melius e ka përshkruar si “një nga arritjet më të mëdha” të karrierës së artistit, një kryevepër e periudhës surrealiste të Picasso-s. Pa risitë e saj, historianët e artit besojnë se mjeshtri spanjoll nuk do të kishte mundur të pikturonte kurrë Guernica-n e tij të famshme.

“Është e tmerrshme të mendosh se është në rrezik bashkë me të gjithë banorët e qytetit”, ka apeluar Melius.

E blerë me paratë e naftës

Piktura mbërriti në Teheran falë Farah Pahlavit, bashkëshortes së Shahut të Iranit. Shahbanu, siç njihej, ishte një pasionante e artit që dëshironte ta kthente vendin e saj në avangardë kulturore. Ajo themeloi Muzeun e Artit Bashkëkohor të Teheranit (TMoCA) dhe ia kushtoi jetën kërkimit të veprave për koleksion.

Andy Warhol, Pablo Picasso, Roy Lichtenstein, por edhe Francis Bacon, Jackson Pollock, Edgar Degas, Mary Cassatt dhe shumë të tjerë u bënë pjesë e koleksioneve të perandoreshës. William Rubin, drejtor i departamentit të pikturës në Museum of Modern Art në vitin 1973, ka deklaruar se piktori dhe modelja e tij i shpëtoi, sepse Shahbanu kishte paratë dhe karizmën për ta blerë nga tregtari zviceran i artit Ernst Beyeler në vitin 1977, në një periudhë kur New York ende po rimëkëmbej nga kriza e borxhit të vitit 1975 dhe MoMA vuante për fonde.

Një vlerë prej 300 milionësh

Kostoja e koleksionit, e paguar mes viteve 1975 dhe 1977 me të ardhurat nga shitjet kombëtare të naftës, varionte mes 25 dhe 30 milionë dollarëve. Në vitin 2018, vlera e pikturave të Shahbanu-së u vlerësua në 3 miliardë dollarë, dhe sot padyshim vlejnë shumë më tepër. Ndërkohë, edhe pas rritjes së fundit të çmimeve, 30 milionë dollarë naftë bruto të vitit 1977 do të kishin sot një vlerë prej rreth 300 milionë dollarësh.

Është befasuese që, pavarësisht se piktura paraqet një grua të zhveshur, regjimi teokratik iranian ka lejuar që piktori dhe modelja e tij të ekspozohej në TMoCA. Vepra ishte pjesa kryesore e ekspozitës “Picasso në Teheran” në vitin 2025, e cila tërhoqi 55 mijë vizitorë në vetëm 15 ditë.