Dy punëtorë ndërtimi me origjinë shqiptare kanë rrëmbyer dhe dhunuar pronarin e firmës së ndërtimit me të cilin bashkëpunonin në Trento të Italisë, pasi mendonin se nuk do të paguheshin për punimet e kryera.
Ngjarja ka nisur pas një emaili që pronari i shtëpisë i dërgoi sipërmarrësit, duke kundërshtuar punën e bërë nga dy punëtorët. Kjo situatë rrezikonte pagesën për ta, ndërsa sipërmarrësi 60-vjeçar u përpoq të ndërmjetësonte dhe të gjente një zgjidhje me klientin, në mënyrë që të merrte pagesën dhe më pas t’i paguante punëtorët.
Por dy punëtorët, rreth të 30-ave dhe që punonin si të pavarur, reaguan me zemërim. Të bindur se nuk do të merrnin paratë, ata vendosën të vepronin vetë.
Ata e kanë thirrur sipërmarrësin në parkingun “ex Zuffo” në mes të ditës. Sapo ai ka mbërritur, e kanë kapur kundër vullnetit të tij, e kanë tërhequr me forcë dhe e kanë futur brenda në furgonin e tyre të bardhë.
Brenda mjetit, situata është përshkallëzuar: e kanë kërcënuar vazhdimisht që të transferonte paratë në llogaritë e tyre bankare dhe e kanë goditur disa herë me grushte në kokë.
Biznesmeni është mbajtur peng për rreth një orë. Gjatë kësaj kohe, ata e kanë çuar edhe në kantierin ku ishin kryer punimet, duke tentuar të zgjidhnin konfliktin drejtpërdrejt me pronarin e shtëpisë, por pa arritur asnjë marrëveshje.
Më pas, e kanë rikthyer sërish në parking dhe, si formë presioni, i kanë marrë çelësat e furgonit që përdorte për punë, pa pëlqimin e tij.
Ngjarja nuk përfundoi me kaq. Edhe pas lirimit, sipërmarrësi ka marrë vazhdimisht telefonata dhe mesazhe kërcënuese, ku i kërkohej të paguante shumën për punimet, përndryshe do të përballej me pasoja.
I frikësuar për sigurinë e tij dhe të familjes, ai është detyruar të ndryshojë rutinën e përditshme dhe të largohet përkohësisht nga shtëpia, duke gjetur një tjetër vend për të qëndruar për disa ditë.
I tronditur nga ajo që ndodhi, sipërmarrësi tregoi: “Kam pasur shumë frikë për veten, por sidomos për familjen time. Nuk ndiheshim më të sigurt në shtëpi”.
Pas denoncimit, policia ka nisur hetimet dhe ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në parking, të cilat kanë dokumentuar momentin kur ai është futur me forcë në furgon.
Dy punëtorët, të dy me precedentë penalë, janë identifikuar dhe arrestuar nga karabinierët për rrëmbim personi dhe dhunë, ndërsa janë dërguar në burg dhe pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.
Ndërkohë, sipas mbrojtjes, pritet që gjatë procesit gjyqësor të sqarohen plotësisht rrethanat, ndërsa po mblidhen prova dhe dëshmi për të rindërtuar në detaje gjithë ngjarjen.







