Nëse ke kaluar qoftë edhe pak kohë në TikTok kohët e fundit, me siguri i ke parë. Fruta me fytyra dhe trupa njerëzish, histori tradhtie, xhelozie, drama të ekzagjeruara dhe një ndjesi e çuditshme që të bën të mos e kalosh videon menjëherë.
Janë absurde. Janë pak qesharake. Ndonjëherë edhe pak shqetësuese. Dhe megjithatë… janë kudo.
Sekreti i tyre qëndron pikërisht te fakti që nuk kanë kuptim. Ose më saktë, nuk përputhen me atë që truri ynë pret të shohë. Një banane me trup njeriu nuk është diçka normale, dhe pikërisht ky “gabim” vizual e detyron trurin të ndalet.
Pastaj vjen pjesa tjetër: edhe pse janë fruta, ne i lexojmë si njerëz. U japim emocione, qëllime, karakter. Fillojmë të ndjekim historinë si të ishte një serial i vogël dramatik, edhe pse në thelb është komplet absurd.
Dhe këtu hyn formula perfekte e TikTok: video të shkurtra, histori të thjeshta, emocione të forta. Tradhti, refuzim, “sad story”, hakmarrje. Gjëra që kuptohen menjëherë, pa shumë mendim, por që të mbajnë të lidhur deri në fund.
Sa më shumë ndalesh, aq më shumë algoritmi e shtyn videon. Sa më shumë njerëz komentojnë “çfarë ishte kjo?”, aq më shumë ajo shpërndahet. Edhe reagimi negativ është reagim, dhe për TikTok kjo mjafton.
Nuk është se këto video janë “të mira” në kuptimin klasik. Por janë perfekte për mënyrën si funksionon vëmendja jonë sot: të shpejta, të çuditshme, pak kaotike dhe emocionalisht të lehta për t’u ndjekur.
Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk na hiqen nga mendja. Jo sepse kanë shumë kuptim… por sepse nuk kanë fare.







