Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, pas një interviste të saj në Politico.
Në një reagim publik, Bardhi e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e komisioneres, duke theksuar se ajo ka bërë përgjegjëse shoqërinë shqiptare për korrupsionin në vend.
“Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar,” u shpreh Bardhi, duke shtuar se përgjegjësia për korrupsionin është individuale dhe i takon kryeministrit Edi Rama.
Ai akuzoi Ramën për mbrojtjen e korrupsionit, duke përmendur rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se është mbrojtur politikisht nga mazhoranca në Kuvend.
Bardhi u ndal edhe te roli i drejtësisë, duke theksuar se SPAK nuk pengohet nga shoqëria shqiptare, por nga ndërhyrjet politike.
Në përfundim, ai i kërkoi institucioneve europiane të distancohen nga deklarata të tilla, duke i cilësuar si fyese dhe të papërshtatshme për një shoqëri që, sipas tij, mbetet ndër më proeuropianet në botë.







