Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, në një intervistë për ATSh-në, u shpreh se kjo paketë, është një mundësi reale transformimi për Shijakun dhe të gjithë zonat tona rurale.
“Falë mbështetjes së qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, ne jemi shpallur zonë prioritare për zhvillim, çka do të thotë më shumë investime, më shumë mundësi punësimi dhe një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Kjo paketë synon të rikthejë jetën në fshatra përmes agroturizmit, bujqësisë dhe iniciativave të tjera që shfrytëzojnë potencialin tonë natyror”, tha Arbana.
Kryebashkiaku i Shijakut nënvizoi se përfitimet nga kjo paketë janë shumë të qarta dhe konkrete, ndërsa shtoi se 500 aplikuesit e parë në gjithë Shqipërinë përfitojnë përjashtim nga taksat dhe tatimet për 10 vitet e para, përfshirë TVSH-në, tatimin mbi fitimin, taksën e pronës dhe atë të ndikimit në infrastrukturë.
Përveç kësaj, Arbana tha se “ofrohet mbështetje me projekte falas dhe lehtësira në procedura. Këto janë kushte shumë të favorshme për këdo që dëshiron të ndërtojë një biznes të qëndrueshëm në zonat rurale”.
Lidhur me numrin e aplikimeve dhe interesin e shfaqur në këtë bashki për Paketën e Maleve, Arbana tha se interesi ka qenë shumë pozitiv.
“Vetëm në dy muajt e parë kemi regjistruar 21 aplikime, ku 17 prej tyre janë për agroturizëm, me projekte që përfshijnë vila druri dhe ambiente pritëse për turistët. Aplikimet e tjera lidhen me blegtorinë, pemëtarinë dhe aktivitete të ndryshme bujqësore. Vlera e investimeve të pritshme arrin rreth 10 milionë euro, një tregues i qartë i besimit që sipërmarrësit dhe fermerët kanë ndaj kësaj pakete”, tha ai.
Në fund, Arbana u bëri një thirrje emigrantëve nga Shijaku, që të investojnë në vendlindje, pasi “Paketa e Maleve” është një mundësi e artë për emigrantët që duan të investojnë në tokën e tyre, me lehtësi fiskale dhe mbështetje të plotë nga shteti.
Kryebashkiaku i Shijakut, pohoi se “edhe ata që nuk kanë dokumentacion të plotë pronësie, por e kanë përdorur tokën ndër vite, mund të përfitojnë. Shijaku ka zona të mrekullueshme si Gjepalaj, Karpen, Shetel, Rrubjekë e shumë të tjera, që presin të zhvillohen”.
“Ky është momenti për të investuar, për të ndërtuar të ardhmen dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë”, përfundoi Arbana.







