Gianni De Biasi, trajneri që shkroi historinë me Shqipërinë, ka ndarë mendimet e tij mbi futbollin modern, presionin e ndeshjeve vendimtare dhe situatën aktuale të Italisë në prag të “play-off”-eve për Botërorin.
Në një rrëfim të gjatë për “Fanpage.it”, tekniku italian u ndal te rëndësia e balancës mes taktikës dhe aspektit psikologjik në ndeshje të tilla delikate. Sipas tij, diferencën e bëjnë lojtarët dhe mënyra si ata menaxhojnë presionin.
“Janë njerëzit ata që bëjnë ndryshimin, si në aspektin e personalitetit, ashtu edhe të cilësisë. Një qasje e mirë ndaj ndeshjes dhe besimi në një të ardhme të ndritur e ndihmon ekipin të arrijë objektivin”, theksoi De Biasi.
Duke komentuar emërimin e Gennaro Gattuso në krye të Italia, ai u shpreh se është një zgjedhje e guximshme, por me potencial.
“Gattuso është një trajner me karakter të fortë, që ka kaluar eksperienca të ndryshme. Është një sfidë e vështirë për të dhe stafin e tij, por pikërisht në momente të tilla duhet të japësh maksimumin”, u shpreh ai.
De Biasi zbuloi gjithashtu se në vitin 2016 ishte shumë pranë stolit të Italisë, përpara se federata të zgjidhte Giampiero Ventura si pasues të Antonio Conte.
“Kam pasur disa kontakte telefonike dhe personale me Federatën Italiane, që donte të gjente një zëvendësues për Antonio Conte, i cili kishte njoftuar se pas Europianit në Francë do të shkonte te Chelsea.
Ndryshe nga kjo, unë nuk doja zhurmë rreth kësaj situate, sepse nëse do të shkoja në Europian si ‘në largim’, do të humbisja shumë para lojtarëve të mi te Shqipëria.
Pikërisht për këtë arsye kujdesesha çdo herë që gjithçka të mbetej në privatësinë më absolute. Pastaj papritur zgjodhën Venturën, që ishte liruar nga Torino.
Megjithatë ky episod më la shumë keq dhe i ndërpreva kontaktet”, tha italiani..
Në analizën e tij për futbollin italian, De Biasi pranoi se Italia nuk është më “universiteti i futbollit” si dikur, duke theksuar se modele të tjera, si ai spanjoll, po dominojnë në zhvillimin e trajnerëve dhe lojës moderne.
Ndërkohë, ai dha edhe këshilla për trajnerët e rinj, duke vënë theksin te marrëdhënia me lojtarët dhe rëndësia e detajeve.
“Janë gjërat e vogla që bëjnë diferencën. Duhet të ndjekësh vazhdimisht lojtarët dhe të krijosh një marrëdhënie besimi me ta. Nuk mjafton një fjalë motivuese para ndeshjes, por një proces i përditshëm”, nënvizoi De Biasi.
I pyetur për rastin e Alessandro Bastoni, ai u shpreh se një trajner duhet të mbështesë lojtarët e tij edhe në momente të vështira, duke i ndihmuar të rriten nga gabimet.
Në fund, ish-trajneri i Shqipërisë ndau edhe një reflektim personal mbi karrierën, duke theksuar se ka zgjedhur gjithmonë rrugën më të vështirë, pa mbështetjen e agjentëve apo rrjeteve të fuqishme.
“Nuk kam dashur rrugë të lehta. Kam preferuar të ngjis malin me forcat e mia dhe jo të arrij majën me helikopter”, u shpreh ai.
Pavarësisht ofertave të fundit jo bindëse, De Biasi la të hapur mundësinë për një rikthim në pankinë, duke theksuar se ende ka shumë për të dhënë në futboll.







