Nga Klevis Bakillari
Elisa Spiropali kërkon të thyejë nënshtrimin e ndërgjegjes individuale, ndaj disiplinës partiake.Mospranimi i saj për të votuar në mbrojtje të imunitetit të Belinda Balluku nuk është thjesht një akt politik, por një akt që ngre pyetje të thella mbi raportin mes moralit dhe pushtetit.
Konflikt është klasik filozofik: midis detyrimit ndaj kolektivit dhe detyrimit ndaj së vërtetës. Elisa Spiropali kërkon të fyej imoralitetin. Morali nuk është i negociueshëm dhe nuk varet nga interesat apo pasojat politike. Jo çdo veprim është i drejtë sepse i shërben shumicës, por sepse është në përputhje me një parim universal. Qëndrimi i Spiropalit është përpjekje për të vendosur një standard etik brenda një strukture që funksionon mbi kompromisin dhe lojalitetin partiak.
Nga ana tjetër, reagimi i grupit të PS, që zgjodhi të mbrojë Ballukun përballë hetimeve të SPAK, reflekton një logjikë utilitariste të pushtetit: ruajtja e unitetit dhe e forcës politike shihet si më e rëndësishme se transparenca morale. Ja ku u krijua tensioni mes legjitimitetit formal dhe legjitimitetit moral.
Përpjekja e saj goditëse, apo grushti i saj moral,nuk është një akt agresioni, por një akt ndërgjegjeje,një ndërhyrje që synon të zgjojë një ndjeshmëri të fjetur morale brenda një organizmi politik që rrezikon të bëhet mekanik dhe i pandjeshëm ndaj drejtësisë. Çka mund të derivoji një mafie politike në rastin më të keq.Ai është një refuzim për të qenë pjesë e një vendimi që perceptohet si mbrojtje e pushtetit përballë përgjegjësisë.
Paralajmërimi për ndëshkim ndaj saj nga drejtuesit e grupit parlamentar e zhvendos debatin në një tjetër nivel: atë të lirisë së brendshme në një strukturë kolektive. A mund të ekzistojë morali individual brenda një partie që kërkon uniformitet absolut? Apo çdo devijim nga linja zyrtare konsiderohet tradhti, pavarësisht motivit?
Në këtë kuptim, Spiropali shfaqet si një figurë disidente jo në kuptimin klasik politik, por në kuptimin etik. Ajo nuk kundërshton sistemin nga jashtë, por përpiqet ta sfidojë atë nga brenda, duke kërkuar një standard më të lartë përgjegjësie. Kjo e vendos atë në një pozitë të vetmuar, por njëkohësisht të rëndësishme: atë të individit që guxon të vendosë ndërgjegjen mbi konformizmin.
Kjo situatë nuk është vetëm për Spiropalin apo për Partinë Socialiste. Ajo është një pasqyrë e një problemi më të gjerë: a mund të mbijetojë morali në politikë pa u sakrifikuar në emër të pushtetit? Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë ndoshta çdo “grusht” i tillë, sado i vogël apo i izoluar, është një hap drejt rikthimit të etikës në jetën publike.







