Maliq / Finalizohet operacioni policor i koduar “Sovjani”
Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri automatik dhe posedonte në banesë armë gjahu pa leje, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri automatik, një armë gjahu teke, municion dhe një automjet.
Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sovjani”.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Sovjan, Maliq, shërbimet e Policisë konstatuan në një rrugë mes parcelave bujqësore një automjet, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasi i armatosur, dhe e ndaluan për kontroll.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri tip automatik.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një armë gjahu teke dhe një sasi e vogël municioni luftarak.
Sendet e jashtëligjshme, së bashku me automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.







