Ballina Rajoni Monitorim i shtuar për zgjedhjet lokale në Serbi! Vëzhgues nga organizatat e...

Monitorim i shtuar për zgjedhjet lokale në Serbi! Vëzhgues nga organizatat e afërta me Republikanët në SHBA do të ndjekin procesin

60
0

Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 29 mars në disa komuna të Serbisë pritet të monitorohen edhe nga vëzhgues të huaj, përfshirë përfaqësues të organizatave të lidhura me rryma konservatore në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave publike, gjashtë përfaqësues nga katër organizata amerikane janë autorizuar nga komisionet lokale zgjedhore për të vëzhguar procesin zgjedhor. Bëhet fjalë për organizatat Young Republican National Federation, Republicans for National Renewal, America First Policy Institute dhe International Organization for the Family, të cilat njihen për qëndrime të afërta me presidentin amerikan Donald Trump.

Deri më tani, përfaqësuesit e këtyre organizatave nuk kanë dhënë shpjegime publike mbi motivet e pjesëmarrjes së tyre në misionin vëzhgues, si dhe nuk është bërë e ditur se nga cili institucion janë ftuar për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve.

Sipas raportimeve nga mediat serbe, as institucionet shtetërore serbe nuk kanë dhënë përgjigje të qarta mbi këtë çështje. Ndërkohë, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale ka deklaruar se nuk disponon informacion, duke theksuar se kjo nuk është në fushën e saj të përgjegjësisë.

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në disa zona, përfshirë Aranxhelovacin, Bajina Bashtën, Borin, Klladovën, Knjazhevcin, Kulën, Luçanin, Majdanpekun, Sevojnon dhe Smederevska Pallankën.

Përveç këtyre vëzhguesve, në procesin zgjedhor pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Europës, në kuadër të monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.