Ballina Aktualitet “Provat po injorohen”, Kalaja ngre akuza të forta ndaj gjyqtares: Ergys Agasi...

“Provat po injorohen”, Kalaja ngre akuza të forta ndaj gjyqtares: Ergys Agasi ka ndikuar në vetingun e Irena Gjokës

69
0

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar pushimin e çështjes penale ndaj gjyqtares Irena Gjoka Maneku Shpata, pavarësisht provave që lidhen me një dënim dhe dëbim të saj në Greqi, si dhe mosdeklarim të këtyre të dhënave në formularët zyrtarë.

E ftuar në një emision televziiv, avokatja Adriana Kalaja ngriti akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të tij. Ajo deklaroi se çështja është ndjekur dhe më pas “amnistuar” nga kreu i SPAK, Altin Dumani, duke u shprehur për një marrëveshje mes tij dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Kalaja solli si argument një vendim të një gjykate në Athinë të vitit 2004, ku sipas saj rezulton se vetë gjyqtarja ka qenë në dijeni të procedimeve ndaj saj. Ajo shpjegoi se gjykata e Athinës kishte shpallur moskompetencën dhe e kishte kaluar çështjen për shqyrtim në Janinë, duke rrëzuar, sipas saj, pretendimet se Gjoka nuk kishte dijeni për procesin.

Në deklaratat e saj, Kalaja u shpreh mbi sistemin e drejtësisë se funksionon mbi baza shantazhi, përmes materialeve komprometuese dhe pazareve të brendshme. Ajo foli gjithashtu për ndikime politike dhe tentativa për devijim të vëmendjes publike, duke përmendur edhe emrin e Belinda Balluku si pjesë e një skeme të tillë.

Sipas saj, mosdeklarimi i një dëbimi apo dënimi përbën shkelje të ligjit për dekriminalizimin (ligji nr. 138/2015), i cili kërkon deklarim të plotë të së kaluarës nga funksionarët e drejtësisë.

Ajo theksoi se rasti në fjalë lidhet me një klimë më të gjerë problematike në sistemin e drejtësisë, duke përmendur edhe vendimmarrje të mëparshme të gjyqtares Gjoka në çështje me rëndësi të lartë publike.

Kalaja:

Bledar Maksuti ka emrin e prokurorit. Këtë çështje e ka ndjekur Altin Dumani, e ka amnistuar Altin Dumani dhe është marrëveshja midis Altin Dumanit, ashtu siç unë e deklarova pardje, me Irena Gjokën.

Nëse do më lejosh të jap vetëm dy argumenta.

E para njëherë, lidhur me dijeninë, po merrem me paragrafin e dijenisë. Ju e dini shumë mirë, unë për momentin sepse u ndodha në, në momentin e fundit të këtij njoftimi për të dhënë këtë intervistë, ua kam sjellë dhe disa ditë më herët. ka një vendim të gjykatës së Athinës. Pra, kërkuesja në gjykatën e Athinës është Irena Gjoka, Shpata, Maneku. Dhe gjykata e Athinës çfarë thotë? Shpall moskompetencën, është vendimi i 2004-ës, pra për ta kuptuar publiku që ka dijeni të plotë Irena me disa mbiemra. Dhe gjykata e Athinës e ka kaluar për kompetencë në Janinë, sepse thotë, Athina nuk është kompetente për të gjykuar këtë çështje, sepse vepra penale ka ndodhur në Janinë dhe gjykata, në Kakavijë, dhe gjykata kompetente për të zgjidhur çështjen është gjykata e Janinës. Pra, bie argumenti i prokurorit dhe i pushtetit të kriminalizuar që gjyqtarja me disa mbiemra nuk ka dijeni.

Ndërkohë, unë i qëndroj shumë fort deklaratës që dhashë mbrëmë, që e gjitha kjo, i gjithë sistemi i drejtësisë është i bazuar në këto shantazhet e videove, e të fotove, e të pazareve, e të prokurorëve të SPAK-ut që janë filmuar dhe fotografuar nëpër zyrat e tyre duke marrë para. Kështu që mua personalisht, ky është opinioni im personal, mua personalisht nuk më duket e rastësishme as kjo video apo skandal seksual me KLP-në. Ishte paralajmërim.

Atëherë, por në dijeninë time, kjo është e organizuar nga Belinda Balluku për të bërë zhvendosjen e vëmendjes dhe sot dhe nesër dhe pasnesër të gjithë njerëzit të merren me një veprim, një krim seksual të një anëtari të KLP-së dhe të mos merren me ato skandale që unë ju denoncova. Dhe akoma sot nuk kam një përgjigje, pse banda më e rrezikshme e Durrësit ka emëruar një prokurore nga Durrësi në Tiranë? Ndërkohë që kunat dhe vëllai i saj në prokurorinë e Tiranës.

Pse Ergys Agasi është e përfshirë drejtpërdrejtë në kalimin e vetingut te Irena Gjokës? Pra i gjithë sistemi i drejtësisë është i lidhur, është ngritur mbi shantazhe, mbi vënie përpara videove apo fotove jo vetëm intime, por edhe fotove dhe videove korruptive dhe në këtë mënyrë, jo se prishej një gjë më, më korrekte dhe më ligjore, por të arrihej deri në këtë pikë që të mos kenë të paktën një fije moral dhe integritet dhe të dalin të kundërshtojnë dhe veprimet e veta, ky është kulmi.

Jo dëbimi, është me kusht që të deklarohet. Është një nga kushtet e deklarimit në formularin e ligjit 138 të 2015-ës.

Ka dhe një element tjetër që ta kuptojë publiku. Është gjyqtarja që amnistoi dhe dosjen e Surrelit të Edi Ramës dhe Linda Ramës. Është e njëjta gjyqtare.