Ballina Aktualitet ‘Të mbyllë gojën burri… ‘/ Denoncoi abuzimet e Ballukut, Elezi: Familja ime...

‘Të mbyllë gojën burri… ‘/ Denoncoi abuzimet e Ballukut, Elezi: Familja ime u kërcënua, por hetimet u…

105
0

Eksperti i energjisë, Eduard Elezi, ka dalë publikisht me një denoncim të fortë, duke deklaruar se familja e tij është kërcënuar pas deklaratave që ai ka bërë në media për abuzime në sektorin e energjisë elektrike.

Gjatë një interviste në News24, Elezi tha se situata ka ardhur pas akuzave të tij për atë që ai i cilëson si “vjedhje dhe abuzime me qindra miliona euro”, duke përmendur edhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas tij, presioni është ushtruar drejtpërdrejt ndaj familjes, ku bashkëshortja e tij është kërcënuar nga persona të paidentifikuar, të cilët i kanë kërkuar që ai të ndalojë deklaratat publike.

“I është thënë nuses sime të mbyllë gojën burrit tënd që të mos flasë në media për këto çështje”, u shpreh Elezi.

Ai bëri të ditur se incidenti ka ndodhur në zonën e digës së Liqenit Artificial në Tiranë, ku bashkëshortes së tij i është dalë përpara në rrugë dhe i është përsëritur i njëjti mesazh kërcënues.

Elezi shtoi se rasti është kallëzuar menjëherë në polici dhe i është referuar prokurorisë. Megjithatë, ai ngriti shqetësime për mënyrën e trajtimit të çështjes, duke u shprehur se hetimet janë mbyllur brenda një periudhe shumë të shkurtër, pa u marrë në pyetje persona dhe pa u verifikuar pamjet filmike në zonë.

“Besuam se do të kishte një hetim të plotë, por nuk është thirrur askush dhe nuk janë parë kamerat. Hetimi u mbyll shumë shpejt”, deklaroi ai, duke e lidhur këtë situatë edhe me mungesën e hetimeve për çështjet që ai ka ngritur në sektorin e energjisë.