Reperi i njohur ndërkombëtar Gims është përfshirë në një çështje serioze ligjore në Francë, pasi u ndalua nga autoritetet në aeroportin “Charles-de-Gaulle” në Paris.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, më 25 mars, menjëherë pasi artisti mbërriti dhe kaloi kontrollin doganor. Ai u shoqërua nga policia dhe u vendos në paraburgim, ku po merret në pyetje nga Prokuroria Kombëtare kundër Krimit të Organizuar (PNACO).
Sipas burimeve mediatike franceze dhe raportimeve të agjencisë AFP, hetimi lidhet me dyshime për pastrim parash në kuadër të një rrjeti të strukturuar kriminal. Autoritetet po analizojnë një seri kompanish të dyshimta që dyshohet se janë përdorur për skema të paligjshme financiare, përfshirë shmangie të TVSH-së dhe faturime fiktive.
Një element kyç në hetim është edhe një projekt luksoz imobiliar në Marrakech, Marok, i njohur si “Sunset Village Private Residences”. Ky kompleks, që përfshin mbi 100 vila luksi, është promovuar publikisht nga vetë Gims. Hetuesit dyshojnë se projekti mund të jetë përdorur për të maskuar transaksione të dyshimta financiare.
Ndërkohë, avokati i reperit, David-Olivier Kaminski, ka zgjedhur të mos komentojë për mediat, duke shtuar edhe më shumë paqartësi mbi situatën.
Gims, 39 vjeç, është një nga artistët më të suksesshëm në tregun evropian, i cili vetëm vitin e kaluar shënoi rekorde të larta shitjesh.







