Ballina Sport ​Trajneri i Sllovakisë: Ndaj Kosovës luajmë ndeshjen e jetës

​Trajneri i Sllovakisë: Ndaj Kosovës luajmë ndeshjen e jetës

68
0

Trajneri i Sllovakisë, Francesco Calzona, e ka cilësuar përballjen ndaj Kosovës si një ndeshje jetike për ekipin e tij, në prag të gjysmëfinales së “play-off”-it për Kupën e Botës 2026. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ai theksoi se skuadra e tij është e përgatitur dhe i beson plotësisht lojtarëve në dispozicion, pavarësisht mungesave.

Duke folur për kundërshtarin, Calzona vlerësoi lart Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një ekip të vështirë për t’u përballur. “Kosova është një ekip i pakëndshëm, i organizuar mirë dhe fizikisht i fortë. Ne kemi qëllimet dhe pikat tona të forta dhe do të përpiqemi t’i shfaqim ato në fushë”, deklaroi ai.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar si vendimtare për objektivat e Sllovakisë. “Çdo ndeshje ka historinë e vet, por dallimi është se kjo është një ndeshje e vetme dhe për ne është jetike”, u shpreh Calzona, duke shtuar se synimi i tij është që ta dërgojë ekipin në Kampionatin Botëror.

Në anën tjetër, portieri Martin Dúbravka e cilësoi këtë sfidë si një mundësi të madhe personale dhe kolektive. Ai pranoi forcën e Kosovës, por theksoi se Sllovakia do të japë maksimumin për fitore. “Ne e dimë forcën e kundërshtarit, por do të bëjmë gjithçka për të pasur sukses”, tha ai, duke e përshkruar kualifikimin e mundshëm në Botëror si “një histori të bukur” dhe “finale absolute” për karrierën e tij.