Gjatë vitit 2025 IKMT realizoi 7,306 inspektime në total, nga të cilat 3,324 janë kryer nga drejtoritë qendrore dhe 3,882 nga drejtoritë rajonale të IKMT-së. Kontrollet u përqendruan kryesisht në fushën e ndërtimit, ku u zhvilluan 1,816 inspektime, ndërsa një numër më i vogël kontrollesh u kryen në sektorin e mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Sa u përket vendimeve administrative, numrin më të madh e zënë vendimet për prishjen e objekteve të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, me 447 vendime për ndërtime pa leje, si dhe 297 vendime për prishje ose pezullim të objekteve.
Po ashtu janë vendosur 232 gjoba për ndërtime pa leje, ndërsa në fusha të tjera janë dhënë 106 vendime gjobash për shkelje në mjedis dhe burime ujore, 15 gjoba për shkelje në produktet e ndërtimit dhe burimet ujore, si dhe 47 vendime disiplinore ndaj kryeinspektorëve dhe inspektorëve. Numri më i vogël i vendimeve është regjistruar në sektorin e pyjeve, me 9 gjoba.
Bashkëpunim me bashkitë për prishjen e objekteve
Sipas raportit, aksionet në terren janë zhvilluar në bashkëpunim me inspektoratet vendore të bashkive. Gjatë vitit janë prishur 64 objekte që cenonin sigurinë rrugore, si kioska, mure rrethuese dhe ndërtime të tjera të vendosura në mënyrë të paligjshme pranë rrugëve.
Gjithashtu janë zbatuar 35 vendime për prishje objektesh në disa bashki të vendit, mes tyre Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Himarë, Sarandë, Tropojë, Lezhë, Krujë dhe Kavajë.
Raporti tregon se ndërhyrjet më të shumta janë realizuar në zonën e Thethit, ku janë prishur 130 objekte pa leje, ndërsa numri më i ulët i prishjeve është regjistruar në Durrës, me 11 objekte.
Në jug të Shqipërisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IKMT realizoi 106 prishje objektesh në zonat bregdetare, një shifër që është 22 më shumë se një vit më parë.
Ndërhyrjet janë zhvilluar në disa zona turistike si Velipojë, Shëngjin, Dhërmi, Jalë, Ksamil, Vlorë dhe Kepi i Rodonit, ku u prishën një sërë objektesh, midis tyre ndërtesa të paligjshme biznesesh./ekofin.al







