Ballina Ekonomia Bujqësia dhe industria në recesion të gjatë, me rënie edhe në 2025-n

Bujqësia dhe industria në recesion të gjatë, me rënie edhe në 2025-n

72
0

Viti 2025 ishte i pesti që sektori bujqësor shënoi rënie të prodhimit, çka tregon se baza kryesore e ekonomisë tonë ka rënë në një recesion të gjatë, me gjasë pa shenja rikuperimi.

Në të njëjtin trend është edhe industria e cila mbylli vitin e dytë me rënie në 2025 që po vijon tkurrjen edhe këtë vit nisur nga ecuria e dobët e eksporteve në dy muajt e parë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT bujqësia shënoi rënie me 1.95% vitin e kaluar, ndërsa industria me -3.15%.

Kjo ecuri tregon se modeli ekonomik po zhvendoset nga sektorët prodhues drejt shërbimeve, kryesisht turizmit.  Ekspertet e vlerësojnë të rrezikshme këtë zhvendosje të ekonomisë në një sektor si ai sektori i shërbimeve nuk është i qëndrueshëm dhe varet nga flukset e turistëve.

Ngjarjet e brendshme apo të jashtme si në rastin e pandemisë mund të ulin flukset e turizmit duke sjellë dëme kolosale. Në vitin 2020 vendet që ishin të bazuara tek shërbimet e turizmit pësuan rënie të fortë ekonomike, ndryshe nga të tjerat që kishin në bazë të ekonomisë prodhimin. Pas pandemisë Spanja, italia dhe Greqia reformuan modelet e tyre duke u zhvendosur tek sektorë të tjerë, për të ulur rreziqet.

Në fakt prej turizmit pritej një nxitje më e fortë e sektorit bujqësor me idenë se rritja e konsumit do të duhej të rriste prodhimin vendas, por nuk ka ndodhur kështu, pasi të dhënat mbi tregtinë  e jashtme tregojnë se importet që lidhen me turizmin duke përfshirë edhe ushqimet kanë pësuar rritje të fortë me ardhjen e turistëve.

Në vetvete rënia e vazhdueshme e sektorit të bujqësisë e cila mbeti në territor negativ edhe në vitin 2025 reflekton një krizë të thellë kostoje dhe fuqie punëtore. Rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, si plehrave kimike dhe naftës, ka ulur rentabilitetin e fermerëve të vegjël, në një kohë që subvencionet e qeverisë janë shumë të ulëta dhe fondet e BE-së nga iPARD mbeten të bllokuara. Më tej, zbrazja e zonave rurale nga emigrimi ka krijuar një mungesë akute të krahut të punës, duke bërë që shumë sipërfaqe toke të mbeten djerrë. Ky sektor, që para pandemisë zinte 20% të ekonomisë, në 2024 zuri vetëm 15.%

Sektori industrisë po përballet gjithashtu me stuhi. Industria nxjerrëse është ndikuar nga luhatjet e çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa industria përpunuese (fasoneria dhe prodhimi i ushqimeve) po goditet rëndë nga forcimi i monedhës vendase. Zhvlerësimi i euros ka bërë që eksportet shqiptare të jenë më të shtrenjta dhe më pak konkurruese jashtë vendit, duke ulur porositë dhe prodhimin total. Kjo rënie reflekton një dobësi të modelit ekonomik që bazohet te krahu i lirë i punës, i cili po humbet avantazhin e tij.

Në anën tjetër, rritja e sektorit të ndërtimit (4.52%) dhe rritja dyshifrore e administratës publike e shëndetësisë (14.29% në 2025) tregon se kapitali po zhvendoset drejt aseteve të paluajtshme dhe shpenzimeve publike. Ndërtimi ushqehet nga flukset e investimeve të brendshme dhe të huaja, shpesh të përqendruara në turizëm dhe zona urbane, duke krijuar një ekonomi që konsumon më shumë se sa prodhon. Kjo zhvendosje e ekonomisë po ndodh në kurriz të prodhimit material, duke e bërë vendin më të varur nga importet për nevojat bazë.

Shoqata e Eksportuesve pritet të zhvillojë sot një takim me temë “SITUATA DRAMATIKE E SEKTORIT TË MANIFAKTURËS SË VESHJEVE DHE KËPUCËVE DHE MOSREAGIMI INSTITUCIONAL”. Ky takim, sipas shoqatës ProEksport zhvillohet në një moment kritik, ku sektori po përballet me një përkeqësim të qartë dhe të vazhdueshëm të situatës ekonomike. Prej muajsh bizneset po japin sinjale të drejtpërdrejta dhe të përsëritura. Prej muajsh, këto sinjale janë injoruar, thotë Shoqata./ Monitor