Deputeti i PS-së, Erion Braçe i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë gati të pazakontë. Ai i kërkon Celibashit të gjitha rezultatet e zgjedhjeve që kur ai ka kandiduar, që nga viti 1992 e në vazhdim. Braçe kërkon votat që ka marrë si individ kur kjo ka qenë e dokumentueshme, ose votat që ka marrë PS në ato zona ku ai ka qenë përgjegjës politik, në ato raste kur nuk është votuar për individin.
Deputeti ja kërkon KQZ-së këto të dhëna të përmbledhura në një dokumentacion zyrtar, pa specifikuar nevojën e tyre.
Ai njihet si zë kritik brenda Partisë Socialiste, dhe këto të dhëna ndoshta i duhen në debatin e brendshëm për të kujtuar peshën e tij politike ndër vite.
Së fundmi, Braçe u pa edhe në SPAK, teksa u përball me një qytetar për shpifje.
Letra e plotë e Braçes, siguruar nga VNA.
Z. ILIRJAN CELIBASHI – KOMISIONER SHTETËROR I ZGJEDHJEVE
I nderuar z. Komisioner,
Në mbështetje të Nenit 80, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe Nenit 8, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, kërkoj nga ana Juaj të më vini në dispozicion informacionin e mëposhtëm:
Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, në të gjitha zonat një emërore në Qarkun Berat,
Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, në zonën një emërore në Qarkun Berat,
Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, në zonën një emërore në Qarkun Berat,
Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, në zonën një emërore në Qarkun Berat,
Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në zonën një emërore në Qarkun Berat,
Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, në të gjitha ZAZ-të të Qarkut Berat,
Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, në ZAZ-n e Bashkisë Divjakë, në Qarkun Fier,
Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në ZAZ-n e Bashkisë Divjakë dhe në dy ZAZ-t e Bashkisë Lushnje, në Qarkun Fier,
Rezultatin e Partisë Socialiste, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në ZAZ-n e Bashkisë Divjakë dhe në dy ZAZ-t e Bashkisë Lushnje, Qarkun Fier.
Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Qarkun Fier.
Informacioni të përcillet në adresën e Kuvendit të Shqipërisë.
Duke Ju falënderuar,
DEPUTET
ERION BRAÇE







