Policia greke, e njohur edhe si FBI-ja helene, bastisi një numër të madh bordellosh në Athinë dhe kreu 12 arrestime.
Mediat informuan se u bastisën të paktën 6 shtëpi publike.
Konkretisht, FBI -ja greke kreu kontrolle në 6 bordello në zonën e Athinës me qëllim identifikimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit seksual, ku u arrestuan gjithsej 12 persona (11 gra dhe një burrë), të akuzuar për shkelje të vulave.
Kjo, pasi u verifikua se të gjitha bordellot kishin urdhër të mëparshëm mbylljeje dhe mungesa licencash.
Përveç kësaj, 4 prej të arrestuarve u konstatua se nuk kishin dokumente të ligjshme qëndrimi në vend, gjë që e rëndon më tej dosjen e çështjes.
Siç zbuloi hetimi, bordellot në fjalë ishin vulosur vazhdimisht pas vendimeve të autoritetit kompetent komunal, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestrua edhe shuma prej 760 eurosh.
Të arrestuarit po çohen në prokurorinë kompetente, ndërsa procedura për vulosjen e sërishme të bordello-ve është duke u zhvilluar.







