Ballina Aktualitet “Ish-kryebashkiakun e Kuçovës e dënuan me të njëjtën akuzë”/ Llangozi: SPAK po...

“Ish-kryebashkiakun e Kuçovës e dënuan me të njëjtën akuzë”/ Llangozi: SPAK po favorizon Irena Gjokën!

67
0

Vendimi i SPAK për të pushuar hetimet ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e akuzuar për falsifikim formulari, ka ngjallur debate të ashpra dhe akuza për zbatim të standardeve të dyfishta në drejtësi. Krahasimi me rastin e dënimit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, për një çështje të ngjashme, ka vënë në qendër të vëmendjes mënyrën se si SPAK trajton raste të ndryshme.

I ftuar në një studio televizive, avokati Arben Llangozi e cilësoi trajtimin e dy rasteve si të pabarabartë. Sipas tij, ndërkohë që Hajdari ka një vendim dënimi në kurriz, Irena Gjokën janë duke e mbuluar dhe favorizuar. Ai theksoi se dy çështjet janë të ngjashme “si dy pika uji”, por me përfundime të kundërta, duke dëshmuar për një trajtim selektiv. Avokati Llangozi argumentoi se gjyqtarja Gjoka kishte dijeni të plotë për problemet e saj ligjore në Greqi, referuar një dëbimi të mëparshëm. Kjo, sipas tij, provohet me prokurat që ajo ka lëshuar për përfaqësuesit e saj ligjorë.

Arben Llangozi: Janë dy çështje të ngjashme si dy pika uji. Kreshnik Hajdari tashmë ka një vendim dënimi në kurriz. Ndërkohë zonjën Gjoka janë duke e mbuluar dhe duke e favorizuar dhe nuk diskutohet që kemi një trajtim të pabarabartë të dy rasteve. Aq më keq që në qoftë se do t’i referohemi rastit të zonjës Gjoka, zonja Gjoka e ka pasur dijeninë, sepse provohet me prokurë apo me dokumenta të tjera që ajo ka pasur problematika në shtetin grek dhe ka tentuar që ajo t’i mbrojë ato nëpërmjet përfaqësuesve ligjorë. Pra, këtë rrethanë ne nuk e pamë në asnjë kërkesë, në asnjë moment të kërkesës së prokurorit për pushimin e gjykimit, se a ka pasur dijeni apo jo dhe pse, në qoftë se jo, pse i janë dashur zonjës Gjoka të lërë këto prokura për mbrojtjen e saj. Pra, kemi një shmangie në mënyrë të drejtpërdrejtë nga SPAK në lidhje me kërkesën për pushim të çështjes Gjoka. Dhe unë vlerësoj që në qoftë se do kishim drejtësi, padyshim që duhet të ishte urdhëruar, duhet të urdhërohet formulimi i akuzës për këtë shtetase. Nuk mund të pretendohet që kemi të bëjmë me një vepër të parashkruar tashmë, sepse ky formular aktualisht është duke u përdorur nëpër institucionet përkatëse dhe zonja Gjoka e ka përdorur për herë të fundit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit i cili ka marrë një vendim qoftë edhe pushim apo lënien në fuqi të vendimit.

Pra, ai është gjykuar dhe atje dhe kështu që ne nuk kemi të bëjmë me parashkrim të veprës penale, por kemi të bëjmë me një vepër penale dhe me një dokument që është përdorur i falsifikuar dhe për mendimin tim është me dije të plotë nga gjyqtarja Irena Gjoka në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në mos gaboj është e vitit 2022 apo 2023. Pra jemi akoma dhe dy vite që duhet të parashkruhet plotësisht kjo vepër penale dhe të mos hetohet nga SPAK. Kështu që në lidhje me arsyen e dytë, vlerësoj që Prokuroria e Posaçme ka marrë momentin e nënshkrimit, por nuk merret momenti i nënshkrimit. Gjithmonë, edhe në qoftë se ne do t’i referohemi dhe praktikave të gjykatave, merret momenti që është regjistruar një dokument apo është përdorur një dokument në institucione shtetërore. Gjë që Irena Gjoka e ka përdorur, e ka përdorur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe jemi brenda afateve ligjore. Nuk e kuptoj se çfarë veprimesh hetimore ka bërë Prokuroria e Posaçme nëse ka pasur apo jo dijeni zonja Gjoka.

Zonja Gjoka është refuzuar nga shteti grek për këtë arsye dhe është vënë në dijeni të plotë në lidhje me këtë fakt dhe vlerësoj që kemi të bëjmë në mënyrë të drejtpërdrejtë me mos vënien në dispozicion të këtij informacioni në institucionet shtetërore. Dhe kjo është bërë me dashje, sepse qëllimi i zonjës Gjoka, në qoftë se do kishte nxjerrë këto informacione, ajo do ishte përjashtuar nga procesi i vetingut nga institucionet ë rivlerësuese dhe për këtë arsye e ka fshehur.