Ballina Opinion “Livadhisjet filozofike” të Kosit…në kohë kolere…

“Livadhisjet filozofike” të Kosit…në kohë kolere…

74
0

Nga Iva V. Grillo

Shoh një merak të rritur në rrjet nga disa relativizues profesionistë të cilët mundohen me goxha sforco të përligjin piruetat e Marta Kosit përballë realitetit brutal të kapjes së shtetit në Shqipëri.

“Jo po shqiptarët janë të korruptuar në gen”, “jo po shqiptarët të lajnë gojën para se t’u shkojë mendja për Kosin “, etj, etj…

Për të gjithë ata që kanë marrë përsipër të bëhen zëdhënës së Marta Kos, ju kujtojmë se pyetja që iu drejtua nga gazetari ishte shumë e drejtëpërdrejtë, konçize dhe precize:

“A jeni e shqetësuar për situatën aktuale në Shqipëri pas dorëheqjes nga detyra të zv kryeministes… dhe me mënyrën si po e menaxhon atë Rama?”

Troç, iu drejtua një pyetje rreth produktit/objektivit kryesor të detyrës së saj për Shqipërinë: “A jeni me shtetin ligjor të cilin promovoni formalisht, apo jeni me ata që kërcënojnë shtetin ligjor?”

Serioziteti i çështjes dhe pika kritike ku është Shqipëria më shumë se kurrë meritonin një përgjigje koherente nëpërmjet të cilës vërtetë të kuptohej që zonja Kos&co realisht po motivon drejtësinë dhe nuk është thjeshtë tifoze e rëndomtë të qeverisjes Rama.

Por në vend të një përgjigjeje serioze për një pyetje shumë serioze, zonja Kos vendosi të “livadhisë” filozofikisht duke na konfirmuar se është po aq jo-serioze në detyrën e saj (për të cilën me siguri paguhet jo pak nga taksat e evropianëve) sa edhe e pasinqertë për ndihmën të cilën pretendon se po i jep shtetit ligjor-një mungesë sinqeriteti e cila nuk bën gjë tjetër por e lë drejtësinë shqiptare bash në gojë të ujkut…

Dhe besoj se kaq mjafton që shqiptarët t’a mbyllin kapitullin e zonjës Kos dhe çdo lloj pritshmërie që mund të kenë pasur nga ajo dhe të ngjashmit e saj!